Festivali i filmit në Korçë, për 5 ditë janë shfaqur 45 filma nga 22 vende të ndryshme të botës

22/09/2024 12:44

Festivali i Filmit të Shkurtër në Korçë ka mbyllur edicionin e 11-të, i cili solli 45 filma nga 22 vende të ndryshme të botës. 

Gjatë 5 ditëve në kinemanë e qytetit u shfaqën filmat me metrazh të shkurtër të cilët trajtonin tematika nga më të ndryshmet duke sjellë në vëmendje luftën, emigrimin dhe probleme të tjera sociale.

Në natën e fundit juria shpalli dhe fituesit që garonin në 4 disiplina.  Me sy të lirë, një film që përcjell natyrën artficiale të jetës bashkëkohore dhe paaftësinë e të përballuarit realitetin u vlerësua si filmi i shkurtër më i mirë

Anëtari i jurisë, Renis Hyka tha: “Çmimi më i mirë i festivalit i shkon filmit “Naked Eye”, një film nga Polonia, i cili kishte elementë fantastikë filmikë, prej të cilëve ne si juri e vlerësuam si filmi më i mirë i këtij festivali. Ne të gjithë ishim në një mendje që ky film e meriton, edhe pse festivali kishte edhe filma të tjerë shumë të mirë por sipas nesh ky film bënte diferencën. Filmi ishte një miksim interesant i groteskut dhe i dramës, gjithashtu kishte një gjuhë shumë të veçantë. Disa nga kompeticionet ishte realisht një debat i madh për të vendosur fituesit sepse siç dihet arti është shijë individuale, por në fund duhet të biem dakord për një film dhe secilin çmim, besoj që kemi bërë më të mirën.”

Stefan Peters, anëtar i jurisë u shpreh: “Çmimi për filmin më të mirë të studentëve në Festivalin e Filmit në Korçë i shkon një regjisori të ri nga Lituania. Është vetëm 23 vjeç dhe ka prodhuar një film të mrekullueshëm. Është një situatë si në një teatër dramatik, ku përshkruan historinë e pesë punonjësve ndërtimi. Përmes kësaj, ai tregon shumë për problemet që ka shoqëria jonë, veçanërisht për mënyrën se si të përballemi me të panjohurën”.

Çmimi ndërkombëtar i shkon një zonjushe austriake, e cila ka trajtuar po ashtu probleme të shoqërisë aktuale, emigrimin, me temën e një babai dhe vajzës së tij që duan të emigrojnë në Austri dhe për ta është problem shumë i madh. Filmi është bërë me mënyrën tradicionale austriake, me sarkazëm që ju të qeshni. Mes kësaj tragjedie, ju arrini të qeshni dhe kjo është ajo që e bën të veçantë.

“Kanë bërë një punë fantastike, e pashë edicionin e kaluar dhe më kontaktuan që të jem anëtar i jurisë. I jap përgëzimet më të mira organizatorëve që e sollën në Korçë festivalin. Është shumë e rëndësishme dhe madje ka kualitetin e vendeve të tjera të botës. Për mua ishte mjaft bukur që të shihja filma shqiptarë sepse ishte diçka e re për mua dhe shumë interesante.”

Gledis Bica, drejtori i festivalit tha: “Ky edicion për ne ishte i suksesshëm këtë vit, u shfaqën gjithë filmat, u realizua dhe programi i fëmijëve. Ajo që ishte surprizuese për ne ishte rritja e audiencës nga viti i kaluar, sidomos te gara kombëtare ku ishin filmat shqiptarë. Salla ishte pothuajse plot, njerëzit i pëlqyen filmat pasi nga reagimet e tyre pamë që filmat u shijuan. Jam shumë i kënaqur, shpresoj dhe besoj që vitin e ardhshëm të kemi dyfishin e filmave. Filmat shqiptarë nga viti në vit vijnë duke u rritur nga ana e cilësisë, por në përgjithësi filmat që ne kishim, ishin në një kategori me ndërkombëtaret, sidomos te filmi fitues i garës kombëtare por edhe një dokumentar që fitoi çmimin e audiencës (publikut). Sigurisht që bota ka industri të madhe dhe ndonjëherë buxhetet janë më të mëdha, por gjithsesi edhe ne falë mbështetjes së Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, nga ana teknike nuk do të kemi më diferenca të mëdha.”

Filmi më i mirë kombëtar u vlerësua Dielli, ndërsa çmimin për filmin studentor më të mirë e mori “Ligji i Habëllit”. Në disiplinën e dokumentarit çmimin fitues e mori filmi Motra ime ndërsa në garën për filmin ndërkombëtar më të mirë u shpall fitues filmi Toka e Maleve kurse çmimi i publikut shkoi për filmin “Si Afërdita” nga Anisa Xhomaqi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA