Luftime të reja filluan të premten mes Forcave Demokratike Siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara dhe forcave qeveritare siriane të mbështetura nga Irani, në provincën lindore Deir el-Zour, raportuan një organizatë për monitorimin e luftës dhe burime lokale.
Luftimet filluan kur forcat qeveritare siriane dhe grupet paraushtarake që i mbështesin, nisën sulme me mortaja ndaj pozicioneve që i përkisnin Forcave Demokratike Siriane (SDF), sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britani.
Një banor i zonës i tha Zërit të Amerikës se luftëtarët e SDF-së u përgjigjën duke qëlluar drejt burimit të sulmeve, duke përdorur mortaja dhe armë të lehta. Banori, i cili kërkoi t’i ruhet anonimiteti për arsye sigurie, tha se disa luftëtarë të SDF-së pësuan plagë të lehta në përleshje, por Observatori Sirian tha se nuk kishte raporte të konfirmuara për viktima në asnjërën anë.
Kontrolli i Deir el-Zourit është i ndarë mes dy palëve. SDF-ja ka nën kontroll anën lindore të lumit Eufrat, ndërsa ana perëndimore kontrollohet nga forcat qeveritare siriane dhe milicitë e mbështetura nga Irani. Irani ka qenë një mbështetës i vendosur i forcave qeveritare siriane, që nga fillimi i konfliktit në këtë vend në vitin 2011.
Provinca Deir el-Zour ishte një bastion i madh për grupin terrorist Shteti Islamik deri në vitin 2019, kur forcat e SDF-së, të ndihmuara nga një koalicion global i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i dhanë fund të ashtuquajturit kalifat të ISIS-it në Sirinë lindore.
Javët e fundit ka patur një rritje të konfrontimeve mes palëve. Në gusht, një grup paraushtarak i qeverisë siriane, i quajtur Forcat e Mbrojtjes Kombëtare, kreu një sulm në pjesët e kontrolluara nga SDF në Deir el-Zour, duke vrarë disa civilë, sipas njoftimeve të mediave lokale. Në përgjigje, SDF-ja filloi një sulm të madh, duke vrarë të paktën 20 ushtarë të qeverisë.
SDF-ja është një aleancë ushtarake e udhëhequr nga kurdët, që ka qenë një partner kryesor i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS). Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar grupet e mbetura nga ISIS-i, Shtetet e Bashkuara mbajnë të dislokuar rreth 900 ushtarakë në Sirinë verilindore, përfshirë në Deir el-Zour.
Hoshang Hasan, një gazetar në agjencinë lokale North Press, që mbulon nga afër ngjarjet në Sirinë lindore, thotë se forcat e qeverisë siriane dhe milicitë aleate iraniane e kanë bërë të qartë se qëllimi i tyre është të destabilizojnë situatën në Deir el-Zour.
“Ata janë të vendosur për ta mbajtur këtë rajon të paqëndrueshëm dhe për ta bërë këtë, janë përpjekur vazhdimisht t’i largojnë forcat amerikane nga kjo zonë”, i tha ai Zërit të Amerikës.
Që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në Gazë në tetor 2023, bazat që strehojnë forcat amerikane dhe të koalicionit në Sirinë lindore janë sulmuar me dhjetëra herë nga milicitë e mbështetura nga Irani.
Jonathan Spyer, drejtues në Forumin e Lindjes së Mesme me qendër në Filadelfia, tha se kishte nevojë për rritje të mbështetjes ushtarake amerikane për SDF-në, për të ruajtur status quo-në në rajon.
“Qëllimi i milicive të mbështetura nga Irani për t’i mbajtur nën trysni Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj është qartazi që të përshpejtojnë një tërheqje të Shteteve të Bashkuara”, i tha ai Zërit të Amerikës, duke shtuar se “një tërheqje e tillë do të hiqte një pengesë të madhe për kontrollin nga Irani dhe kontrabandën dhe lëvizjen e forcave nga Iraku për në Siri dhe Liban, në rast të një lufte gjithëpërfshirëse kundër Izraelit”.
“Rritja aktuale e trysnisë [në Sirinë lindore] nuk mund të ndahet nga mobilizimi më i përgjithshëm i pjesshëm i forcave të mbështetura nga Irani në rajon, në kontekstin e luftës së Gazës”, nënvizoi ai./VOA
Top Channel