Një djalë 12-vjeçar dhe dy persona të tjerë vdesin nga sulmet ruse në Ukrainë

21/09/2024 10:55

Një sulm rus gjatë natës vrau tre civilë në Ukrainën qendrore, thanë autoritetet më 21 shtator, ndërsa sulmet me dronë ukrainas detyruan Rusinë të evakuojë banorët e një fshati kufitar.

Një djalë 12-vjeçar dhe dy gra të moshuara u vranë në qytetin Kryvyi Rih në rajonin e Dnipropetrovskut në “një sulm të tmerrshëm në mes të natës, kur qyteti ishte në gjumë,” shkroi guvernatori rajonal, Serhiy Lysak, në Telegram.

Ai tha se tre persona të tjerë u plagosën në sulm, i cili gjithashtu shkatërroi dy ndërtesa dhe dëmtoi pjesërisht 20 të tjera.

Kryvyi Rih, një qytet i madh prodhues çeliku, sulmohet rregullisht nga Rusia.

Më herët, autoritetet ukrainase raportuan se dy persona u vranë dhe 15 të tjerë, përfshirë fëmijë, u plagosën në sulmet ruse në rajonin verilindor të Harkivit, mbrëmjen e 20 shtatorit.

Prokuroria rajonale tha se sulmet ajrore ruse kishin në shënjestër tre distrikte në qytetin e Harkivit, duke përdorur avionë Su-34.

Ushtria ruse përdori gjithashtu mortaja për të bombarduar fshatra, duke vrarë një burrë dhe një grua të moshuar, sipas guvernatorit të Harkivit, Oleh Synyehubov.

Mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi pesë raketa ruse dhe 11 dronë gjatë natës së 21 shtatorit, sipas një deklarate nga Forcat Ajrore të Ukrainës.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi më 21 shtator se 101 dronë ukrainas u kapën gjatë natës mbi rajone të ndryshme ruse.

Një fshat në rajonin jugperëndimor të Krasnodarit u evakuua për shkak të një zjarri të shkaktuar nga mbeturinat e rëna, thanë zyrtarët rusë, duke përmendur një rrezik shpërthimesh.

Guvernatori i Krasnodarit, Veniamin Kondratyev, tha në Telegram se mbeturinat e rëna nga një dron i rrëzuar “shkaktuan një zjarr që u përhap në objekte eksplozive” në distriktin Tikhoretsky. Banorët u evakuuan, por nuk u raportuan viktima, shtoi Kondratyev.

Kohët e fundit, Rusia ka raportuar pothuajse çdo ditë rrëzimin e dronëve ukrainas.

Ukraina, e cila ka qenë duke u mbrojtur nga pushtimi i plotë rus që prej shkurtit 2022, ka sulmuar në mënyrë të përsëritur objektiva në territorin rus, përfshirë depot e municioneve dhe të karburantit, për të ndërprerë furnizimet për trupat e Moskës që luftojnë në Ukrainë./Rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA