Kthimi i serbëve në institucione: Për policët rikthimi pothuajse i pamundur, punonjësit e drejtësisë e kanë më të lehtë

21/09/2024 20:04

Kthimi i komunitetit serb në institucionet e Kosovës është kërkuar nga Serbia dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, kthimi në radhët e Policisë së Kosovës është i pamundur për ata që u dorëhoqën më pesë nëntor të vitit 2022. Kjo pasi Policia e Kosovës i ka shqyrtuar dhe pranuar dorëheqjet e tyre.

“Për policët është pothuajse e pamundur të kthehen pasi të njëjtët kanë bërë edhe shkelje të tjera të cilat i bëjnë të padenjë ose me mungesë të integritetit për tu kthyer në Policinë e Kosovës”, tha Ehat Miftari, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Për punëtorët e sistemit të drejtësisë, kthimi në institucionet ku punonin është më i lehtë. Kjo për faktin se Këshilli Gjyqësor i Kosovës edhe dy vjet pas nuk ka shqyrtuar kërkesat për dorëheqje të komunitetit serb.

“Çështja e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe të administratës së Komunitetit Serb, do të shqyrtohet në momentin që KGJK e vlerëson se është koha e duhur dhe sipas procedurës së përcaktuar për situata të tilla”, thuhet në një përgjigje të këtij institucioni.

As Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka shqyrtuar akoma kërkesat për dorëheqje nga prokurorët e komunitetit serb dhe as nuk ka pranuar kërkesa për t’u kthyer në punë nga ana e tyre.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga prokurorët e komunitetit serb për kthimin e tyre në sistemin prokurorial, andaj dorëheqjet e tyre nuk janë trajtuar akoma nga KPK-ja dhe në momentin që trajtohen ato do t’ju njoftojmë me kohë”, thonë nga KPK-ja.

Megjithatë, njohësit shtojnë se duhet të ketë një verifikim të tyre, për t’u siguruar që nuk janë të përfshirë në aktivitete politike siç ishte rasti i ish-kryetares së Gjykatës së Mitrovicës së Veriut, Liljana Stevanoviq dhe ish-gjyqtarit Nikolla Kabashiq që u shkarkuan pasi morën pjesë në protestat e serbëve në veri në tetor të vitit 2023.

“Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës do të duhet të shqyrtojnë tani më kërkesat e tyre për t’u kthyer në mënyrë që të njëjtit të vazhdojnë punën, por me kusht që të njëjtit tani të sigurohen të zbatojnë Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe të mos jenë subjekt ose pjesë e ndonjë kampanje apo politikave që vijnë nga Serbia apo partitë politike në Kosovë, me theks të veçantë Lista Serbe”, tha Miftari.

Sa u përket zyrtarëve komunalë ku hyjnë kryetarët e asamblistët, ata mund të kthehen me anë të votës në momentin që mbahen zgjedhjet lokale.

Në kundërshtim të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, qytetarët serbë të punësuar në institucionet e Kosovës u dorëhoqën nga pozitat e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA