Një ndër pesë vetë në Gjermani është i rrezikuar nga varfëria. Sidomos të prekur janë pensionistët, të cilëve nuk u mjaftojnë pensionet.
Inga, e cila nuk dëshiron të na thotë emrin e saj të plotë, po shkon për të ngrënë drekë falas në klubin Lichtblick në Mynih. 67-vjeçarja merr vetëm një pension të vogël dhe jeton nën kufirin e varfërisë.
“Duhet të bëj kujdes, kur shkoj për të blerë ushqime, sepse nuk më dalin paratë. Në fakt unë nuk ha më aq shumë, se kur nuk e ke më paranë, harron se si hahet p.sh. një patë apo peshk”.
Një ndër pesë pensionistë në Gjermaniështë në gjendjen e Ingës. Ata janë të rrezikuar nga varfëria në pleqëri, sepse pensioni i tyre është më i ulët se 60% e të ardhurave mesatare gjermane. Më shumë se për ushqimin Inga gëzohet kur njeh gjatë drekës njerëz të rinj.
Gracka e varfërisë
Inga nuk e kishte menduar kurrë, se njëherë do të kishte nevojë për ndihmë nga një organizate jofitimprurëse për pensionistët e varfër. Ajo ka punuar gjatë si edukatore kopshti. Por një goditje e fatit ndryshoi gjithçka: në një aksident trafiku ajo u plagos rëndë, pa fajin e saj, dhe më pas nuk qe në gjendje të punojë. Kështu ra në grackën e varfërisë.
“Unë nuk rashë në varfëri, sepse nuk më pëlqente të punoja, por për shkak të një situate, për të cilën nuk jam aspak përgjegjëse. Dhe kështu vajti e gjithë jeta ime pastaj. Duke punuar herë pas here, duke mbijetuar, luftuar, punuar, mbijetuar, luftuar Nuk njoh gjë tjetër.” – tregon ajo.
Pensioni i saj prej 800 eurosh mjafton vetëm për të mbuluar qiranë dhe shpenzimet fikse. Për të blerë ushqimet, ajo punon privatisht si kujdestare në familje me fëmijë.
“Mjaft nuk mundem më. Dhe dua të thërras që ta marrë vesh bota. As ne gjermanët nuk e kemi mirë. Ju lutem, shikojeni këtë! Që flas kaq hapur, është sepse nuk mundem më. “Nuk mundem më. Dhe nuk jam e vetmja. që ndihem kështu. Miliona pensioniste dhe pensionistë janë në situatën time.” – thotë Inga.
Gracka e vetëpunësimit
Edhe Uli duhet t’ia dalë me pak. Pas zbritjes së shpenzimeve fikse, pensionistit 72-vjeçar i mbeten rreth 300 euro në muaj. Për ta larguar mendjen nga shqetësimi për paratë, ai del shpesh shëtitje buzë një liqeni dhe mediton.
Uli jeton në një apartament të vogël me një dhomë në afërsi të Mynihut. Shtratin e ka në dhomën e ndenjes. Ai nuk mund të bëjë më shumë me pensionin e tij. Dikur ishte ndryshe. Uli ishte pionier i videotransmetimit digjital dhe kishte firmën e tij.
“Dikur fitoja deri në 10.000 marka në muaj. Jetoja në një shtëpi me 180 metra katrorë hapësirë banimi dhe bëja një jetë të këndshme.” – tregon Uli. Por shpejt firmat nisin t’i prodhojnë pjesët e tyre më lirë jashtë vendit dhe nga konkurrenca ai falimentoi dhe humbi gjithçka.
Kush është i vetëpunësuar nuk është i detyruar të paguajë kontribute në fondin ligjor të pensioneve në Gjermani. Sigurimi i pensionit është privat dhe vullnetar. Ka shumë vetë që u ndodh si Ulit, ata nuk paguajnë aspak apo një shumë tepër të vogël për pensionin e tyre dhe si rezultat në pleqëri përfundojnë në varfëri.
Problemi i përkujdesjes për të afërmit
Në rastin e Gisela Breuhaus nuk ishte as vetëpunësimi dhe as aksidenti. Ajo ka studjuar për administrim biznesi, por tani jeton në varfëri, sepse u kujdes për të atin njëmbëdhjetë vjet me radhë.
“Babai ishte gjithmonë pranë familjes dhe ka bërë gjithçka për familjen. Kjo ishte për mua edhe arsyeja, pse e ndjeva si të vetëkuptueshme, që të kujdesesha për prindërit e mi dhe nuk e kam menduar kurrë dy herë një gjë të tillë.” – tregon ajo.
Rasti i Giselës nuk është i vetmi. Një ndër pesë vetë që kujdesen për të afërmit në Gjermani, ka rrezik që në pleqëri të përfundojë në varfëri. Tek gratë shifra është një ndër katër, sepse gjatë periudhës kur përkujdesen për dikë, personat nuk derdhin asnjë kontribut në fondin e pensioneve, përveç një shume të vogël që u derdhet nga shteti.
Kjo bën që pensionet e tyre të jenë të ulta ulta. “Ato nuk mjaftojnë për të jetuar, prandaj shpesh familjarët dhe miqtë, që kujdesen për të moshuarit, jetojnë në pleqëri në varfëri.” – tregon 75-vjeçarja që jeton sot në një apartament social në Bonn me dy mace, shoqërueset e saj më besnike. Pas shpenzimeve fikse asaj i mbeten 600 euro.
Si Gisela dhe Ulli janë mësuar të jetojnë me pak. Por ata shpresojnë për ndryshim dhe duan që politikanët t’i shpërndajnë paratë në mënyrë më të drejtë.
“Shpresoj se politika do të ofrojë drejtësi kompensuese, pra ata që kanë punuar dhe kani krijuar bazën e ekonomisë në Gjermani, tani të mund të pushojnë. Për momentin nuk më duket se është vërtet kështu. Përkundrazi hendeku po bëhet gjithnjë e më i madh”./DW
Top Channel