Ish-zv.ministri Klodian Rrjepaj ka lënë sot qelinë dhe dëshmon në Komisionin Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up në Shëndetësi.
Rrjepaj është futur në ambientet e komisionit me pranga në duar dhe i shoqëruar nga forcat e policisë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i ka dhënë leje të posaçme Klodian Rrjepajt për të dëshmuar. Gjithashtu leja është dhënë edhe për biznesmenin Ilir Rrapaj.
Ishte Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi që kërkoi për të thirrur si dëshmitarë ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendës/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj dhe gjashtë zyrtarë të tjerë, që janë nën hetim nga SPAK.
Komisioni caktoi mëngjesin e 9 tetorit për Beqajn dhe 20 shtatorin për Rrjepajn si data për të marrë dëshmitë, megjithatë autorizimi deri më tani është dhënë vetëm për Rrjepajn dhe Rrapajn.
Në lidhje me koncesionin e Sterilizimit i pandehur është edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Ai u arrestua për një çështje tjetër më 4 korrik, pasi dyshohet se ka abuzuar me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, gjatë kohës kur ishte në krye të këtij institucioni.
Beqaj mori postin e kreut të Agjencisë në nëntor të vitit 2022 dhe dha dorëheqjen në nëntor të vitit të kaluar, kur Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nisi ndaj tij hetimet për koncesionin e sterilizimit. Urdhër arreste janë dhënë edhe për nëntë persona të tjera, ndërkohë që pritet njoftimi zyrtar.
Ndërkohë, ish-ministri i Shëndetësisë është i pandehur për dosjen e koncesionit të sterilizimit, ndërsa më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.
Për sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 të tjerë, mes tyre ish-zv-ministri Klodian Rrjepaj dhe përfituesi i Koncesionit Ilir Rrapaj të dy në pranga që prej gushtit të vitit të kaluar. Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të koncesionit të sterilizimit.
Top Channel