Albana Stankaj ankohet në emisionin Fiks Fare se në shtëpinë e gjyshit, në të cilën jeton ajo me familje e saj dhe hallat me fëmijët e tyre, po bëhen ndërtime pa leje.

“Kjo shtëpi është ndërtuar në 1942 kam kërkuar në Bashkinë Shkodër të bëhet shtëpi muze, ndërkohë personi që ka katin e tretë të kësaj banesa ka ndërhyrë dhe bërë punime të paligjshme duke ndryshuar edhe strukturën e saj” thotë Albana

Ajo tregon se  ka vajtur në të gjitha institucionet,  por nuk e ka zgjidhur dot, madje thotë se pas 2 vitesh jam detyruar të marr policinë, sepse nga punimet na ra suvaja e dhomës.

“Është ndryshuar gjithë çatia, është ndryshuar pozicioni i saj në mënyrë që të rritet sipërfaqja, është shtuar një kat tjetër, ndërkohë nuk bëhet asgjë, s’na ka mbetur më asnjë zgjidhje, duam që kjo ndërtesë të kthehet në gjendjen e mëparshme” shpreh ajo.

Gazetarët e Fiksit telefonuan Specialistin e Policisë së Zonës, ky i fundit shpreh për Fiksin se ky është një problem i mbartur prej dy vitesh dhe se ai këtë punë e ka filluar në janar-shkurt.

Gjithashtu ai tregon se është në dijeni të këtij problemi dhe se e ka verifikuar disa herë në terren.

“Ne e kemi proceduar zotërinë i cili ka bërë ndërtimin pa leje, është në prokurori, jemi njoftuar disa herë nga qytetari , por sa herë kemi vajtur në fillim nuk e kapnim duke bërë punime” thotë punonjësi i policisë.

Fiksi gjithashtu kërkoi një informacion nga IMT në Bashkinë e Shkodrës. Drejtori i këtij institucioni, Xhehnet Dani,  tregon se është në dijeni për çështjen, madje ai shpreh se shumë shpejt do të ndërhyjë për prishjen e objektit. “Unë e kam gjetur këtë procedurë kur erdha në krye të IMT, por ligjërisht ne mund të vendosim vetëm gjoba, i kemi vendosur gjoba dhe bërë pezullime, së fundmi jemi njoftuar për ndërtimin e çatisë dhe kështu kemi bërë edhe një vendim prishje” thotë Dani.

IMT premton se me datë 26 shtator do të ketë një ndërhyrje nga ata për prishjen e objektit pa leje , pra të çatisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA