Porto Romano, bazë e NATO-s? Karta e Adriatikut, Begaj: Në dispozicion të Aleancës, të forcojmë rolin e Shqipërisë

18/09/2024 15:31

Të qënurit anëtar të NATO-s nuk mjafton, Shqipëria do të angazhohet për të forcuar kapacitetet ushtarake, në ndihmë të aleancës së NATO-s.

Kjo u diskutua në Konferencën e 27-të e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA–Karta e Adriatikut (A5), që u mbajt në Tiranë, ku morën pjesë liderë të lartë ushtarakë dhe zyrtarë nga rajoni dhe NATO.

Diskutimet u përqendruan në zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, me theks të veçantë në rritjen e shpenzimeve ushtarake mbi pragun 2% të PBB-së.

Një nga nismat kryesore të diskutuara ishte zgjerimi i infrastrukturës ushtarake të Shqipërisë, ku Presidentin Bajram Begaj njoftoi vendosjen e Porto Romanos në dispozicion të NATO-s, si pjesë e angazhimit të vendit për të forcuar rolin e tij brenda Aleancës.

“Shqipëria është e gatshme të zgjerojë infrastrukturën që vë në dispozicion të NATO-s, përfshirë Porto Romanon, që do të jetë një qendër strategjike për Aleancën. Ne jemi të përkushtuar të kontribuojmë më shumë për sigurinë në rajon dhe përtej tij”, tha Begaj.

Përsa i përket sigurisë dhe stabilitetit në rajon, Begaj kërkoi që dhe Kosova të jetë pjesë me të drejta të plota në këtë aleancë, ndërkohë që Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, shtoi se bashkëpunimi dhe moslënia e hapësirës për ndikime të palëve të treta është çelësi për siguri të qëndrueshme.

“Kosova e ka vendin në këtë tavolinë, dhe është e rëndësishme që ne të mos biem pre e përçarjeve nga faktorët e jashtëm. Bashkëpunimi rajonal është kyç për të siguruar stabilitetin e rajonit”, tha Vëngu.

Konferenca, ku morën pjesë zyrtarë të lartë ushtarakë nga rajoni dhe NATO, përfshiu edhe diskutime për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendeve të A5 dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak për t’iu përgjigjur më mirë kërcënimeve globale.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA