Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic rikthehen sot në Bruksel për një raund të ri bisedimesh në kuadër të dialogut mbi normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Nuk është ende e qartë nëse ata do të kenë një takim të përbashkët, apo vetëm bisedime të veçanta me zyrtarët e BE-së. Përballja e fundit mes dy kryenegociatorëve ishte në muajin korrik, edhe ai një takim i përfunduar pa rezultat, si shumë të tjerë përpara tij.
Bislimi e ka akuzuar atëkohë palën serbe se dëshiron vetëm zbatim të pjesshëm të Marrëveshjes Bazë për normalizimin e marrëdhënieve, Petkovic insiston se pala kosovare thjesht nuk dëshiron ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Marrëveshja Bazë, e cila përfshin edhe detyrimin e krijimit të kësaj bashkësie, u arrit shkurtin e vitit të kaluar, por ka mbetur vetëm në letër.
Burime në BE thonë se edhe takimi i sot, i paraprirë nga udhëtimet e të dërguarit të BE-së për dialogun Miroslav Lajcak në Prishtinë e Beograd, do të fokusohet pikërisht tek hapat për zbatimin e saj.
Ka 13 vjet që Kosova dhe Serbia janë të angazhuara në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian. Vitin e kaluar palët arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por fakti që vënia e saj në jetë, që është edhe kusht për përparimin drejt anëtarësimit në bllok ka ngecur në vendnumëro, ka ngjallur shqetësim tek ndërkombëtarët.
Top Channel