Me kokën poshtë dhe duart në pranga/ Momenti i arrestimit të Lul Rakajt, plagosi me armë zjarri dy persona sot në Malësinë e Madhe

15/09/2024 15:00

Lul Rakaj, autori i plagosjes së dy personave këtë mëngjes në Malësi të Madhe është arrestuar pas disa orësh arrati dhe ndjekje nga forcat RENEA.

Rreth orës 09:45, në hyrje të një lokali, Lul Rakaj plagosi me armë zjarri shtetasit  Besmir Qofi dhe Avenir Hasanaj, të cilët janë transportuar në spitalin rajonal të Shkodrës për ndihmë mjekësore.

Lul Rakaj ka vrarë para rreth 13 vitesh shtetasin Kolë Mushku në Hot të Malësisë së Madhe teksa është hakmarrë për vrasjen e babait të tij të cilin Kolë Mushku e kishte vrarë më përpara.

Njoftimi i plotë i policisë:

Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të dy shtetasve në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe.

Pas ngjarjes së ndodhur paraditen e sotme në fshatin Vrakë, në hyrje të një lokali, ku shtetasi L. R., tentoi të vriste me armë zjarri shtetasit B. C., dhe A. H, të cilët mbetën të plagosur, dhe më pas shtetasi L.R, u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë me vete dhe armën e zjarrit, shërbimet e Policisë menjëherë u vunë në ndjekje të tij.

Nisur nga fakti që autori ishte i armatosur, në ndihmë të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të Komisariatit të Malësisë së Madhe, shkuan Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe dy grupe të Forcave Speciale Renea, për të bërë të mundur neutralizimin dhe kapjen e autorit.

Ndërkohë Shërbimet e Policisë Kufitare morën masa për bllokimin e kufirit me qëllim mos lejimin e largimit drejt Malit të Zi, të autorit të dyshuar.

Pas afro tre orë ndjekjeje dhe kontrollesh, Forcat Speciale Renea, në zonën e ballkonit të Tamarës, lokalizuan dhe rrethuan autorin e dyshuar duke i bërë thirrje që ai të dorëzohej.

Shtetasi L.R, nuk i’u përgjigj thirrjes për dorëzim, por tentoi disa herë që të dilte nga rrethimi duke përfituar edhe nga koha e keqe me rreshje shiu dhe nga zona e pyllëzuar, por nuk ka mundur dot të largohet dhe pas disa minutash në rrethim është kapur e vënë në pranga.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin e zonës për të gjetur armën e zjarrit, të cilën shtetasi L.R, dyshohet se e ka fshehur kur ka parë Forcat Speciale Renea që e kishin rrethuar.

Ndërkohë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për dokumentimin ligor të këtij rasti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA