“Ironia djallëzore, bashkinë e Himarës e….”, media greke rikthen ngjarjen e 2001! Si iu vu tritol ambientit ku ndodhej Vangjel Tavo, grupi kriminal, ai i masakrës së Peshkëpisë

15/09/2024 19:30

Media greke “Efsyn”, ka risjellë në kujtesë një ngjarje të ndodhur në Greqi në vitin 2001, ku në një takim të zhvilluar në një restorant, ku merrte pjesë edhe Vangjel Tavo, pati një shpërthim tritoli.

Sipas të njëjtës media, thuhet se tritoli u vendos nga po e njëjta organizatë kriminale që kishte kthyer masakrën e Peshkëpisë.

Shkrimi i plotë i medias greke:

Eurodeputeti, kryetari dhe granata

Një histori e harruar e vitit 2001 me zgjatime të tejskajshme aktuale.

Zhvillimet e fundit tek çështja voriopeiriote i japin një aktualitet befasues një akti terrorist që ndodhi në Athinë gati dy dekada e gjysmë më parë dhe për arsye “kombëtare” u la nën hije të lajmeve të bujshme të kohës. Tashmë një çështje penale e parëndësishme, ai rast megjithatë meriton të mbahet mend, sepse tregon hipokrizinë e dënimit të dhunës politike nga e djathta greke dhe mediat e saj.

Një shpërthim në Peristeri

Historia jonë nis natën e së shtunës, 13-14 janar 2001. Në tavernën “Romiosyni”, në Peristeri, u pre pita e gazetës me të njëjtin emër të minoritetit grek të Shqipërisë në prani të deputetit të Gjirokastrës Vangjel Tavos dhe anëtarëve  të tjerë të minoritetit të lidhur me Partinë Socialiste, si biznesmeni Grigor Tavo apo ish-ministrit Taso Angjeli.

“Dhuna politike është e papranueshme në shoqëritë demokratike”

Kyriakos Mitsotakis (14.7.2024)

Pak pas mesnate, një shpërthim granate në hyrje të tavernës thyen të gjitha xhamat dhe dëmton tre makina dhe dy motoçikleta aty pranë dhe si rezultat i tij rreth 200 pjesëmarrës  t’ja mbathnin vrapit duke i dhënë fund menjëherë takimit. Pasoi një telefonatë për gazetën “Hora ”(Vendi) të Jorgo Trangës , e cila morri përgjegjësinë për sulmin në emër të organizatës MAVI (“Fronti për Çlirimin e Vorio Epirit”). Domethënë, e njëjta organizatë nacionaliste që shtatë vjet më parë kishte kryer një sulm të përgjakshëm në një repart ushtarak  shqiptar në fshatin kufitar Peshkëpi , duke vrarë një oficer dhe një këmbësor, dhe që u shpërbë në mars 1995 me arrestimin në orët e vona të natës në anën greke tek i njëjti kufi , të një grupi prej shtatë anëtarësh, në automjetet e të cilit u gjetën gjashtë kallashnikovë dhe armë të tjera.

Interesi politik dhe gazetaresk i aktit terrorist të 2001 ishte i vetëkuptueshëm: përveç të tjerash, hedhja e granatave në ngjarjet politike, qoftë edhe pa viktima, nuk është një ngjarje kaq e zakonshme në Greqi (dhe veçanërisht në Athinë) në shekullin e 21 ! Sidomos kur dukej se sulmi kishte një dimension “kombëtar” , atëhere pretendimi i autorësisë së tij u shoqërua me pohimin e anëtarëve të MAVI-t se “këtej e tutje do të jemi më të ashpër” duke e transferuar guerilën e tyre “nacionalçlirimtare” nga kufiri greko-shqiptar tek drejtimi i kundërt në passhpinën athinase.

Pranimi i përgjegjësisë nga MAVI nëpërmjet gazetës “Hora”, nga telefoni 15.01.2001

Ashtu siç kishte ndodhur në vitin 1994 pas shfaqjes së parë të përgjakshme të organizatës, ashtu edhe këtë herë shumica e mediave athinase preferuan fjalët provokuese ‘korrekte kombëtare’ në vend të një problematike bazë të diktuar nga faktet. Ndërkohë, drejtësia greke me dënime të buta , i kishte lënë të lirë të arrestuarit e 1995-ës, duke i dënuar për posedim dhe transport të thjeshtë të armëve të cilat (gjoja) i kishin blerë nga shqiptarë të panjohur për një arsye të papërcaktuar, duke shmangur edhe lidhjen më të vogël me MAVI-n – ndryshe nga avokati i tyre, Filoklis Asimakis, i cili pak ditë më parë i kishte dhënë gazetës “Eleftheri Ora” (04.01.2001) versionin e tij të veprimit të “djemve  të MAVI-t”, por edhe ish-liderit të Antiterrorizmit, Ioannis Papadakis, i cili pretendonte  ‘’kurorë dafinash” nga televizioni për “shpërbërjen e organizatës” në një mënyrë që “mbronte në këtë rast  interesat kombëtare” (shiko  Ios, “Zbulime të mëvonshme për MAVI-n”, “Eleftherotypia”, 12.11.1999, https: //shortturl .at/evARk). Në vend të adhurimit të tyre të tyre të njohur ndaj terrorit, reportazhet e së hënës 15/1/2001, veçanërisht në gazetat e djathta, u përshtatën kështu në vijën kombëtare, sipas së cilës veprimi i MAVI-t duhej të vihej në dyshim në rastin më të mirë.

“Policia po shikon mundësinë e provokimit”, bënte me dije p.sh. gazeta “Apogjevmatini “( Pasditja).  “Dhe kjo sepse në momentin e sulmit, në tavernë po bëhej prerja e pites të komunitetit vorioepirot. Të panjohurit, të cilët sipas vlerësimeve të para ishin shqiptarë, hodhën një granatë të tipit mbrojtës në hyrje të dyqanit . Ndërsa telefonata e MAVI-t “po shqyrtohet nga policia me rezerva për vërtetësinë e saj”.

I njëjti argument, se autorët e një sulmi ndaj vorio-epirotëve mund të ishin vetëm shqiptarët, u parashtrua nga gazeta “Vradini”( Mbrëmja), e së njëtës ideologjie me gazetën  “Hora” (që kishte nderin të merrte telefonatën e diskutueshme) të pyeste veten me titullin: “ Sulm terrorist nga MAVI apo provokime?” Më i detajuar ishte raportimi i Giorgos Karaivaz (gazetar i vrarë para dy vitesh me ekzekutim nga dy persona të panjohur sh. i prkth.) tek gazeta “Eleftheros Typos”, sipas të cilit “oficerët e policisë Antiterror që ndërmorën hetimet për zbardhjen e sulmit me bombë vlerësojnë se qëllimi i autorëve ishte të bënin zhurmë dhe asgjë më tepër. Sa i përket MAVI-t, ata kanë lënë të hapur mundësinë që marrja e përgjegjësisë të jetë bërë për qëllime provokuese, por pa e përjashtuar kategorikisht edhe këtë version. Hetimet pritet të ecin në të gjitha drejtimet, deri tek organizatat e mundshme ilegale të mafias shqiptare”.

Ky interpretim nacionalist në përgjithësi injoroi një sërë elementesh të dukshme të çështjes. Fakti p.sh. se gazeta “Romiosyni”, shprehje e asaj pjese të minoritetit grek që dëshironte bashkëjetesën e qetë me pjesën tjetër të shoqërisë shqiptare nëpërmjet bashkëpunimit me Partinë Socialiste atje, ishte në përballje të hapur me shoqatat nacionaliste të vorio-epirit, organizatës së minoritetin etnocentrik “Omonoia” dhe asaj që lidhej me të,  “Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut” (në të cilën marrin pjesë edhe organizata sllavomaqedonase, të vllehëve, serbëve, malazezëve dhe romëve). Ose fakti që deputeti socialist Vangel Tavo përqëndroi urrejtjen e nacionalistëve grekë pas fitores së tij elektorale në 1997 në kurriz të paraardhësit të tij (dhe liderit të “Omonoias”) Vangjel Dule me 56.8% kundrejt 29.8% që do të përsëritej në zgjedhjet e ardhshme në verën e vitit 2001 me një përqindje 54,4% kundrejt 26,7% (Lambro Baltsioti, “Grekët dhe Grekët në fuqi . Minoriteti i Shqipërisë pas Luftës së Ftohtë “, Janinë 2020, f.289- 290 & 326).

Në të vetmen referencë përkatëse që gjetëm në botimet e këtyre ditëve (“El. Typos”, 15/1), bazuar në informacionet e drejtuesve të “Omonoias”, “të pranishmit në ngjarjen e djeshme” vëllezërit Vangjel dhe Grigor Tavo përvijohen  si organe të “qarqeve antihelenike” që “promovojnë si një zgjidhje të dobishme për minoritetin grek shprehjen e tij politike nëpërmjet partive që tashmë ekzistojnë” (në kundërshtim me “Omonoia-n” që “shpreh vullnetin e Vorio- Epiriotëve për vetëdashje dhe shprehje politike autonome”). Për MAVI-n, megjithatë, drejtuesit e intervistuar janë kujdesur të deklarojnë se “injorojnë çdo ekzistencë të organizatës”.

Synimi  “disa tradhtarë”.

Kjo në lidhje me atë që u bë e ditur në momentin e sulmit me bombë . Shumë më tepër, dhe padyshim fakte më ndriçuese, do të zbulojë një dekadë më vonë një anëtar i MAVI-t duke folur me gazetarin e “Kathimerini” dhe Agjencisë Greke të Lajmeve,  Stavros Tzimas – kolegu më i informuar pa dyshim për çështjet e Vorioepirit në dekada. Informacioni përkatës u botua në librin e tij “Në konstelacionin e nacionalizmit. Shqipëria dhe Greqia në epokën pas Hoxhës” (botuar nga Epikentro, Selanik 2010, me parathënie të Aleksis Papaqelas). Megjithatë, ato nuk janë jetërsuar nga opinioni i gjerë publik, pasi raportet për marrëdhëniet greko-shqiptare zakonisht shmangin me kokëfortësi marrjen e tyre në konsideratë.

Hedhja e granatës në Peristeri, sqaron autori, “ishte një goditje nga MAVI, me qëllim shfarosjen e deputetit “tradhtar” Tavos. Këtë ma ka rrëfyer një drejtues i organizatës, i cili pretendon se ka marrë pjesë në episodet e Peshkëpisë dhe të Logos [vrasja e vitit 1994 dhe arrestimi grupor i vitit 1995]. E takova në një kafene të Universitetit, të nesërmen e Vitit të Ri 2009. Ai erdhi në takim i vendosur për të biseduar. Ai këmbënguli që të mos ia shkruaj emrin, sepse sot në Athinë është shumë aktiv në çështjet e minoriteteve dhe në Shqipëri është persona non grata. Le ta quajmë paraprakisht Fanis” (f.130-1).

Le të shohim tani saktësisht se si përshkruan ngjarjen ky “Fani “. Sipas rrëfimit të tij, qëllimi fillestar i organizatës ishte thjesht vrastar duke synuar “armikun brenda” brenda pakicës, megjithatë, mundësia që së bashku me  shfarosjen e “tradhtarëve ” të goditeshin fëmijë të  vegjël, me pasoja të tjera të dukshme  në publikimin  e ngjarjes , përfundimisht kufizoi veprimin e tyre të sulmit me bomë në një shfaqje force pa gjak – por thjesht terroriste:

“Aksionet në Episkopi dhe në Logos kanë qenë tonat, të MAVI-t. Goditëm edhe një sulm me bombë në Athinë, në Peristeri, në një tavernë ku po fliste deputeti tradhtar grek i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Vangel Tavo. Ky ka  qenë veprimi ynë për të cilin po marrim përgjegjësinë për herë të parë me këtë që po ju them” (f.131).

“Aty ishin mbledhur rreth dyqind njerëz. Ne hodhëm një granatë në hyrje e cila shpërtheu. Plani ynë ishte ta hidhnim brenda për të pastruar disa tradhtarë, por ne u tërhoqëm kur pamë se kishte shumë fëmijë në tavernë me prindërit e tyre.

− Nëse e kuptova mirë, objektivi juaj përfshinte grekët e minoritetit?

– Pikërisht. Ne kishim vendosur që fillimisht të ekzekutonim tradhtarët e helenizmit, pra ata që bashkëpunuan me regjimin shqiptar dhe më pas të godisnim kampet [shqiptare]. Problematika jonë ishte se kë të godisnim më parë, pasi nuk ishim të sigurt për shkallën e dëmit që po bënë tek çështja vorioepiriote.

− Ishte objekt deputeti Tavos?

– Po, në fakt një nga të parët.

– Pse nuk morët përgjegjësinë për këtë veprim?

– Ne kishim përgatitur një proklamatë, por kishte mosmarrëveshje të brendshme në organizatë, të cilat nuk mund t’jua zbuloj dhe kështu nuk u publikua.

− Çfarë ndodhi me MAVI-n?

− Mbeti joaktiv, nuk pati më sulme. Nuk mund të them më shumë” (f.135-6).

MAVI dhe shërbimet

Le të supozojmë se ky “mosaktivitet” përfundimtar i detyrohej, të paktën pjesërisht, patronëve të organizatës nacionaliste, të cilët nuk kishin dëshirë ta shihnin luftën e saj të armatosur vdekjeprurëse të shndërrohej në një luftë civile ndërminoritetesh në strehat e Athinës me metoda që të kujtonin  vrasjen e ndërsjellë të komitëve në rrugët e Sofjes gjatë periudhës së ndërmjetme mes dy luftëravre botërore.  Si rast pune, nuk na duket aspak e pamundur, po të kemi parasysh atë që vetë “Fanis”, si dhe një nga shokët e tij të arrestuar të vitit 1995, i përshkruan gazetarit të “Kathimerinit” për sfondin dhe mbështetjen nga shërbimet (e fshehta) të të gjithë çështjes.

Stërvitja e “luftëtarëve” MAVI nga Skuadrilja e 33 e Komandove

Sipas “Fanit”, MAVI filloi të aktivizohej në vitin 1993 dhe përbëhej nga njëzet “luftëtarë” (f.136), të stërvitur ushtarakisht nga shërbimet greke: “Unë dhe disa nga të tjerët, që morëm pjesë në operacionet e Peshkëpisë dhe Logut,  ishim stërvitur për gjashtë muaj në Qipro. Stërvitja u zhvillua në Stavrovouni, ku ishte vendosur skuadrilja e 33 e komandove dhe në krye ishte një major grek. Ishte shumë e ashpër. Ne ishim të stërvitur për ‘’luftë joortodokse΄΄ ,me armë, eksplozivë, deri hedhje nga helikopter kemi bërë”. Në Qipro u dërguan nga “Fondacioni Kombëtar për Pritjen dhe Rehabilitimin e Grekëve Homogjenë të Kthyer” (EIYAPOE), një shërbim publik i themeluar në 1990 nga Mitsotakis dhe Samaras (dhe që u mbyll në 2002 nën qeverinë Simitis) me ish-presidentin (1983- 1993) dhe në vijim (2003-2006) Ministër i Jashtme i Republikës së Qipros, George Iakovou:

“EIYAPOE funksiononte si mbulesë: me pretekstin e trajnimit të homogjenëve nga Vorio-Epiri në profesione të ndryshme, si elektricistë, hidraulikë, riparues frigoriferësh etj., transportonte në Qipro më shumë se dyqind të rinj, mes të cilëve edhe unë, me qëllim që kur të mësonim këto profesione , të kthehemi të jetojmë në Shqipëri. Gjatë rrugës na zgjodhën pesëdhjetë, patriotët më të ndërgjegjshëm dhe na drejtonte një major grek. Qëllimi ishte të stërviteshim mirë me armë që kur të vinte koha të ishim gati të luftonim për çlirimin e Vorio Epirit. Na thanë edhe se po të jetë nevoja do të formojmë një repart të posaçëm që do të luftojë për dëbimin e turqve nga Qipro” (f.136).

Qëllimi i operacionit të vitit 1995 që rezultoi me arrestimin e shtatë “luftëtarëve” në kufirin greko-shqiptar, shpjegon “Fanis”, ishte përsëritja e operacionit të armatosur të një viti më parë, sipas tij, “shumica nga anëtarët që morën pjesë në Logo, ishim edhe në Peshkëpi”. Ishte përgatitur edhe një njoftim përkatës i cili natyrisht nuk arriti të dërgohej, pasi ekspedita e tyre e dytë pati përfundimin e njohur -katastrofik për organizatën (f.133-4).

Stërvitjen ushtarake të MAVI-t në Qipro nga Skuadrilja e 33-të Sulmuese ia konfirmoi autorit edhe i dyti nga të arrestuarit në vitin 1995, i cili foli me të (fq.142), emri i të cilit përflitej shumë në ditët e shkatërrimit të MAVI-t” dhe që tani banonte në një qytet provincial (f.140). Ai i zbuloi Stavro Tsimës se së bashku me një anëtar tjetër të organizatës ishin dërguar, gjoja si gazetarë, për të vrarë Vangjel Tavon brenda shtëpisë së tij gjatë një interviste që po u jepte. Por ata u ngritën dhe u larguan kur ai vetë  “morri urdhër nga një telefonatë nga ndonjë person, politik, ushtarak, nuk ka rëndësi, për të mos kryer vrasjen” (f.140-1). Sipas këtij burimi të dytë, dy nga shtatë të arrestuarit në 1995 në kufirin greko-shqiptar “ishin anëtarë të EYP” (Shërbimi i Inteligjenës Greke) (f.141). Por “Fanis” do të pohonte në rrëfimin e tij, se edhe “dy gra të MAVI-t jetonin në një banesë në Kolonaki, që në fakt i përkiste EYP” (f.137).

Identifikimi i “Fanit”

Po kush është ky “Fanis”, që i ka rrëfyer të gjitha sa më sipër gazetarit të njohur në vitin 2009? Këtë na e zbulon vetë ai pa dashur kur rrëfen arrestimin e tij dhe të shokëve të tij në vitin 1995:

“Kishim dy makina, një fuoristradë dhe një makinë të mbyllur , në të cilat i fshehëm armët. Na bënë shenjë të ndalonim, por ne i shpërfillëm. Pak para se të mbërrinim në Delvinaki, na dloi përpara një postëbllok. […] Dy oficerë policie na u afruan me armët gati dhe katër të tjerë ishin më mbrapa në gadishmëri. […] Njëri prej nesh, pasagjeri i makinës së parë , i rrëmbeu pistoletën njërit prej policëve me shpejtësi dhe unë, në sediljen e pasme, mbusha menjëherë kallashnikovin” (f.132).

Le të vijmë tani te procesverbalet zyrtare të gjykimit në shkallë të parë të “djemve të MAVI-t” (siç i quajti avokati i tyre pas gjithë ngjarjes) ​​në shkurt të vitit 1997. Sipas dëshmisë së dëshmitarëve të prokurorisë dhe deponimeve të vetë të pandehurve, ata ranë tek postëblloku i policisë teksa po lëviznin në mes të natës në kufirin greko-shqiptar me dy automjete – një makinë roivate dhe një automjez të mbyllur.  Sipas deklaratave të punonjësve të policisë që i arrestuan, armët e grupit u gjetën në automjetin  (fq.22, 24, 26 & 27) që drejtohej nga oficeri rezervist George Anastasoulis. “Unë i thashë ndal automjetit  dhe Anastasoulis kur doli tha jam koleg” dëshmoi në mënyrë karakteristike polici I.P. “Pashë një letërnjoftim ushtarak. Kontrolluam dhe pamë që kishin gjashtë kallashnikovë dhe dy pistoleta. Plumbat ishin në karikatorë. […]. Nuk pyetom për asgjë. Jemi dy dhe ata tre, kemi parë edhe armët. […] Në makinën tjetër furgon të mbyllur  kishin uniforma ushtarake, këpucë ushtarake” (f.24). Këto detaje janë konfirmuar nga kolegu i H.T.: “Në orën 2 të mëngjesit bëmë postëbllokun dhe fillimisht ndaloi furgoni dhe pas pak makina tjetër . I akuzuari i parë Anastasoulis na tha se ishte ushtarak, na tregoi një letërnjoftim dhe tha se kishte armë që janë të tijat. Ata ishin tre dhe ne dy” (f.27).

Identiteti i tre pasagjerëve të makinës zbulohet nga deponimi i shoferit të saj, i cili u përpoq t’i lironte pasagjerët e tij nga çdo përgjegjësi për armët (të cilat, siç pretendoi ai, i kishte gjetur vetë pak më parë teksa ecte në pyll): “Rrugës së kthimit morra me vete  Koutoulan dhe Belerin, por nuk u thashë asgjë [për armët]. Duke ditur që janë vorioepirotë dhe janë të ndjeshëm ndaj çështjeve të tilla, nuk u thashë asgjë që të mos trembeshin. Mendova se ishte më mirë të mos e them. Nuk e dija si do të reagonin” (f.48). Për ndodhjen e tre pasagjerëve brenda automjetit  Beleris po ashtu zbuloi në deponimin e tij : “Filluam të ktheheshim. Hyra në makinën e Anastasoulis sepse kisha ftohtë. Isha ulur mbrapa dhe papritmas një makinë po na ndiqte me dritat e fikur. […]. Ne ndaluam dhe disa njerëz erdhën me armë dhe na i drejtuan. […] Makina  e Anastasoulis ishte një SEAT i bardhë me katër vende” (f. 62-63).

Mjafton një krahasim i thjeshtë i këtyre faljeve dhe deklaratave me rrëfimin e “Fanis” për të identifikuar këtë të fundit pa më të voglin dyshim: “Fanis”, i vetmi nga tre pasagjerët e makinës në fjalë që ishte ulur në sediljen e pasme, nuk është askush tjetër veçse eurodeputeti aktual i Demokracisë së Re , Fredi Beleri.

Një histori që bën ciklin

Vitet kaluan. MAVI hyri gjithashtu në histori – me përkrahësit e vet në gjirin e së Djathtës Ekstreme vorioepiriote dhe vendase me  mitologjizimin pasues, siç tregoi rasti i Konstantinos Katsifas në 2018. Belerisistudioi në vitet 2000 në Panteio me bursë nga Ministria e Jashtme greke dhe në vitin 2014, njëzet vjet pas Peshkëpisë , u vendos në Himarë si biznesmen në fushën e turizmit. Në vitin 2015, ai kandidoi për kryetar bashkie me PBDNJ  me mbështetje ndërpartiake nga Greqia, duke marrë vetëm 27.3% dhe duke humbur ndaj kryetarit tashmë socialist, bashkatdhetarit të tij Jorgo Goros. Në vitin 2019, autoritetet shqiptare e ndaluan rikandidimin e tij duke përmendur disa dënime të mëparshme gjyqësore të tij (Baltsiotis, op. f. 228-30). Në dhjetor 2022, ai mirëpriti me ceremoni Kyriakos Mitsotakis, si kreu lokal i “Omonoias” dhe në vitin 2023 u zgjodh me ceremoni kryetar bashkie me mbështetjen jo vetëm të PBDNJ-së , por edhe të ekstremit të djathtë demokrat (nacionalist dhe antihelen) Partisë Demokratike të Sali Berishës, kryeministër i Shqipërisë në kohën e aksionit të armatosur të MAVI-t. Megjithatë, siç dihet, zgjedhja e tij u anulua dhe u burgos për disa muaj me akuzën (tepër problematike) të shitblerjes së votës. Shteti shqiptar (mekanizmat e tij të vjetra) padyshim që nuk kishte absolutisht dëshirë të harronte atë që edhe homologu i tij ,shteti grek (dhe mediat këtu) bëjnë sikur nuk mbajnë mend.

Qëndrimi i Belerit në burgjet shqiptare na pengoi të nxjerrim të dhënat e mësipërme gjatë periudhës së fundit parazgjedhore. Veç kësaj, do të ishte mjaft naive të besohej se votuesit e Demokracisë së Re  që më në fund e dërguan në Parlamentin Europian, do të ndikoheshin negativisht nga një hedhje e vjetër e një granate dhe me kaq pa gjak, kundër “armikut të brendshëm” socialist.

Për një ironi djallëzore të fatit, fitues i zgjedhjeve të përsëritura bashkiake të gushtit të kaluar në Himarë, me 58,6% kundër kandidatit të ri të përbashkët të pakicës dhe të djathtës shqiptare (“Omonoia” – Partia Demokratike), doli kandidati i socialistëve, Vangel Tavo.  “Tradhtari”, thënë ndryshe, që sipas “Fanit” ishte objektivi kryesor i atij sulmi me bombë nga MAVI njëzet e tre vjet më parë në Peristeri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA