Arsenal kthehet te fitorja në Premier League angleze. Në ndeshjen e javës së 4-t, skuadra e Mikel Artetës iu imponua Tottenhamit në derbin londinez duke e mundur me rezultatin 1-0 dhe ngjitet në kuotën e 10 pikëve.
Ndeshja ishte intensive në castet e para ku në fillim ishte Tottenham ai që u shfaq më kërkues në fushën e lojës. Por pas 15 minutave të para, edhe Arsenali u pa në sulm në drejtim të portës së Hotspurs. Topcinjtë tentuan me Kai Havertz, por gjuajtja me kokë e sulmuesit gjerman u ndal nga Vicario.
Por me kalimin e minutave asnjë prej skuadrave nuk mundi të gjejë hapësirat që kërkonte, ndërkohë që pati edhe ndonjë moment nervozizmi mes ekipeve.
Arsenali dhe Tottenham shkuan në pushimin e sfidës me barazimin 0-0, ndërkohë që në 45 minutat e dyta të dyja skuadrat filluan të kërkonin më shumë golin e avantazhit. Tottenham dukej sikur kishte diçka më shumë në këtë pikë, por ai që arriti të zhbllokojë rezultatin ishte pikërisht Arsenali teksa në minutën e 64 gabriel shënoi në portën e Tottenham duke shfrytëzuar mjaft mirë ekzekutimin perfekt të goditjes së këndit nga Bukayo Saka.
Në minutat e mbetura, postecoglu aktivizoi Werner për t’i dhënë më shumë forcë repartit të sulmit, por në fund ndeshja përfundoi me fitoren 1-0 të Arsenalit që duke përfituar edhe nga humbja e Liverpool, ngjitet në vendin e dytë në klasifikim me 2 pikë më pak se Manchester City kryesues, ndërsa Tottenham mbetet me 4 pikë pas 4 ndeshjeve
Top Channel