Rusia kërcënon Ukrainën dhe Perëndimin, ndërsa Kievi kërkon përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi

14/09/2024 14:51

Zyrtarët rusë kërcënuan të shtunën Perëndimin me një përshkallëzim të pakontrolluar të luftës, si dhe Ukrainën se do të shkatërrojnë Kievin.

Komentet vijnë ndërsa udhëheqësit perëndimorë diskutuan nëse do të lejojnë Ukrainën të përdorte armët për sulme më në thellësi të territorit rus.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të premten vonë në mbrëmje se plani i tij për të arritur fitoren varej nga vendimi i Uashingtonit, çka dukshëm i refererohej kërkesës së bërë prej kohësh nga Kievi për të marrë autorizim nga vendet e NATO-s, për sulme me raketa me rreze të gjatë veprimi.

Andriy Yermak, kreu i zyrës së zotit Zelenskiy, shkruante në aplikacionin e mesazheve ‘Telegram’ të shtunën se: “Duhen vendime të forta. Terrori mund të ndalet duke shkatërruar objektet ushtarake në origjinë“.

Kievi ka thënë se sulme të tilla janë jetike për përpjekjet e vendit për të kufizuar aftësinë e Moskës për të sulmuar Ukrainën, por deri më tani aleatët kanë hezituar ta lejojnë një gjë të tillë, nga droja për një përshkallëzim të konfliktit e mes dyshimeve në efikasitetin e këtyre sulmeve.

Ndërsa mbi këtë çështje nuk është marrë ende asnjë vendim zyrtar, zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov pretendoi se vendimi ishte marrë tashmë dhe se i ishte komunikuar Kievit. Ai shtoi se Moska do të duhej të përgjigjej me veprimet e saj.

Vendimi është marrë, u është dhënë liri e plotë për të vepruar, kështu që ne jemi gati për gjithçka“, kishte thënë zoti Ryabkov sipas agjencisë ruse të lajmeve ‘RIA’.

Ne do të reagojmë në një mënyrë që nuk do të jetë aspak e këndshme“, shtonte ai.

Ish-Presidenti rus Dmitry Medvedev, i cili aktualisht shërben si nënkryetar i Këshillit të Sigurisë, tha se Perëndimi po vinte në provë durimin e Rusisë, duke shtuar se ai, nuk ishte i pakufishëm.

Zoti Medvedev tha se inkursioni i Ukrainës në rajonin rus të Kurskut, që zoti Zelenskiy e ka cilësuar si një operacion të suksesshëm që po ngadalëson përparimin e Rusisë, i ka krijuar tashmë Moskës baza ligjore, për të përdorur arsenalin e saj bërthamor.

Zoti Medvedev tha se Moska ose mund të përdorë në fund armët bërthamore, ose disa nga armët e saj të reja, jo-bërthamore, por vdekjeprurëse, për një sulm në shkallë të gjerë.

Dhe me kaq do të merrte fund. Çka do të mbetej do të ishte një vend i shkrirë, një re gjigante gri, në vend të ‘nënës së qyteteve ruse”, shkruante ai në ‘Telegram’, duke iu referuar Kievit.

Duke iu drejtuar Presidentit rus Vladimir Putin, zyrtari ukrainas Yermak tha se: “Kërcënimet me zë të lartë të regjimit të Putinit dëshmojnë vetëm se ai ka frikë se terrori i tij mund të marrë fund“./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA