Trupi i aktivistes turko-amerikane të vrarë nga Izraeli mbërrin në Turqi (fotot)

13/09/2024 16:45

Media turke njoftonin sot se trupi i Aysenur Ezgi Eygi, aktivistja turko-amerikane e vrarë nga ushtria izraelite në territoret e pushtuara të Bregut Perëndimor, mbërriti në Stamboll nga Azerbaixhani.

Një avion i linjave Turkish Airlines soli arkivolin e Eygi në aeroportin e Stamboll ku u mbajt një ceremoni homazhesh.

Trupi i gruas i mbështjellë me flamurin turk u prit nga një skuadër ushtarake dhe pas ceremonisë do të merrte avionin për në Izmir në jugperëndim të Turqisë ku do të varroset.

26 vjeçarja Eygi u qëllua për vdekje gjatë një proteste paqësore më 6 shtator kundër kolonive ilegale izraelite të ndërtuara pranë Nablus, shkruan rrjeti turk Anadolu.

Ushtria izraelite mohoi fillimisht vrasjen por sot pranoi se kishte qëlluar ndaj të resë në mënyrë të paqëllimshme.

Dëshmitarët e protestës thanë se ushtarët hapën zjarr ndaj grupit të protestuesve kundër kolonive të reja ilegale izraelite në malin Sbeih në jug të Nablus.

Banorët e Beita protestojnë çdo të premte kundër kolonive të reja izraelite në tokat e tyre, që janë konsideruar ilegale nga komuniteti ndërkombëtar.

FOTO GALERI
1/3
26 vjeçarja Eygi u qëllua për vdekje gjatë një proteste paqësore më 6 shtator kundër kolonive ilegale izraelite të ndërtuara pranë Nablus.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA