EMRAT/ Trafikonin armë zjarri me qëllim shitjen, në pranga dy të rinjtë nga Këlcyra, njëri punon zjarrfikës. Sekuestrohen 10 “Glock”

13/09/2024 16:37

Dy të rinj janë kapur me 10 armë zjarri tip “Glock”, të cilat po i trafikonin me qëllim shitjen në Sarandë.

Bëhet fjalë për Mehmet Canaj dhe Klaudio Osmani, të cilët u vënë në pranga në kohën kur po i trafikonin këto armë, në aksin rrugor “Sarandë-Skërficë”. Osmani, i cili ndodhej pasagjer në automjet, është punonjës në stacionin zjarrfikës Këlcyrë

Policia ka sekuestruar pistoletat, që do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të parë nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë, 150 fishekë luftarak për armët, si dhe automjeti me të cilin po transportoheshin, tip “Nissan”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim.

“Strukturat e Hetimit në DVP Vlorë dhe Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor dhe për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të armëve, si dhe për vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që i disponojnë ato, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Knock Out 7”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: M. C., 24 vjeç, dhe K. O., 23 vjeç, të dy banues në Këlcyrë, Përmet”, thuhet në njoftimin e policisw.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë, thuhet më tej.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA