Frikësohet Trump? Ish-presidenti refuzon debatin e dytë/ CNN: I ktheu shpinën dhjetëra miliona shikuesve! Reuters: Harris zgjeron avantazhin!

13/09/2024 12:26

Showman-i i madh nga të gjithë sapo i ktheu shpinën dhjetëra miliona shikuesve, thotë CNN. Të paktën tani për tani.

Refuzimi i Donald Trumpit për të marrë pjesë në një tjetër debat presidencial me kandidaten demokrate Kamala Harris shënon një moment të rëndësishëm në fushatën e zgjedhjeve të 5 nëntorit 2024, ndërsa nxjerr në pah, sipas gjigandit mediatik amerikan, cenueshmërinë e një karrierë politike të ndërtuar mbi themelet e famës së tij televizive.

Trumpi shprehet se nuk ka nevojë për një revansh, sepse pretendon se ishte ai fituesi i përballjes televizive të së martës me demokraten Kamal Harris, pavarësisht se shumë të tjerë janë të bindur për të kundërtën.

Sipas një anketimi të fundit të opinionit publik, të realizuar nga agjencia e lajmeve Reuters dhe kompania e sondazheve Ipsos, zëvendëspresidentja e ka zgjeruar avantazhin e saj dhe udhëheq tani me një nivel mbështetje prej 47 për qind, krahasuar me 42% që shënon rivali i saj republikan.

Ky zgjerim i epërsisë erdhi pikërisht pas debatit televiziv ku votuesit menduan se Harris u paraqit më mirë.

Anketimi i dyditor tregon se kandidatja demokrate ka një avantazh prej 5 për qind ndër votuesit e regjistruar për zgjedhjet e këtij viti, duke rritur kështu avantazhin prej 4 për qind ndaj Trumpit nga anketa e mëparshme që u realizua nga e njëjta agjenci në periudhën 21-28 gusht.

Megjithatë, edhe pse sondazhet kombëtare konsiderohen një tregues i rëndësishëm lidhur me qëndrimin e elektoratit, rezultatet përfundimtare përcaktohen nga votat në shtetet kyç që janë vendimtare për Kolegjin Elektoral.

Prandaj, është e mundur që rezultati të vendoset nga disa shtete të rëndësishme për betejën elektorale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA