37 të dënuar me vdekje për tentimet për puç në RD të Kongos, mes tyre edhe 3 amerikanë

13/09/2024 22:54

Tridhjetë e shtatë persona përfshirë tre amerikanë, një britanik, një belg dhe një kanadez – janë dënuar me vdekje, për shkak të tentimeve për të rrëzuar nga pushteti presidentin e Republikës Demokratike të Kongos, Felix Tshisekedi.

Burrat janë akuzuar se kanë kryer sulmin në pallatin presidencial dhe në shtëpinë e një aleti të presidentit, në maj. Christian Malanga, një shtetas amerikan me origjinë kongoleze, i cili dyshohet se ka qenë në krye të këtyre përpjekjeve, është vrarë gjatë sulmit, bashkë me pesë anëtarë tjerë.

Në total, 51 persona kanë dalë para një gjykatë ushtarake, ndërsa seancat janë transmetuar në televizionin dhe radion shtetërore. Djali i Malagas, Marcel, njëri prej shtetasve amerikanë të dënuar me vdekje, i ka thënë gjykatës se babai i tij e ka kërcënuar se do ta vriste, nëse nuk do t’i bashkohej. Shoku i tij, Tyler Thompson, është dënuar, po ashtu, me dënim me vdekje.

Të dy, në të 20-at e tyre, kanë luajtur futboll së bashku në Utah të Shteteve të Bashkuara.

Njerka e tij, Miranda Thompson ka thënë në qershor për media se nuk ka ide si ka përfunduar ai në Republikën Demokratike të Kongos. Amerikani i tretë, Benjamin Zalman-Polun, ka pasur interesa biznesore me Christian Malangan.

Katërmbëdhjetë persona tjerë janë falur dhe liruar. Dënime me vdekje nuk janë ekzekutuar në këtë shtet për gati dy dekada. Mirëpo, Qeveria ka thënë se ekziston nevojë për largim të “tradhtarëve” prej ushtrisë jofunksionale të shtetit.

Tentimet për puç kanë nisur në kryeqytet, Kinshasa, në orët e para të 19 majit. Disa burra të armatosur kanë sulmuar shtëpinë e kryetarit të Parlamentit, Vital Kamerhe në Kinshasa, dhe më pas janë nisur drejt rezidencës së presidentit. Dëshmitarët kanë thënë se një grup prej 20 sulmuesish në uniforma ushtarake, e kanë sulmuar pallatin, dhe më pas palët kanë shkëmbyer sulme me armë zjarri.

Një zëdhënës ushtarak pati thënë më vonë se forcat e sigurisë e kanë bllokuar një “tentim për puç”./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA