Vrasja e dyfishtë në Kurjan, autori reflekton pendesë/ Flasin banorët: Ishin shumë miq, u zunë fëmijët dhe vdiqën të mëdhenjtë

11/09/2024 12:19
Viktimat, Gramoz dhe Vladimir Kurtaj

Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Roskovec ku humbën jetën nga breshëria e plumbave dy vëllezërit Kurtaj, autori Altin Kuka vazhdon t’i qëndrojë deklarimeve të para që dha pas vetëdorëzimit.

Megjithatë gjatë marrjes në pyetje ai ka sqaruar për hetuesit se është penduar për vrasjen dhe se gjithçka ndodhi ne një moment gjaknxehtësie. Policia e Fierit ndërkohë po dokumenton me prova ngjarjen dhe arrestimin edhe të djalit te autorit.

Ky i fundit së bashku me tre kushërinjtë e tij u arrestua disa orë pas vetedorëzimit të të atit në polici.

Burime nga grupi hetimor thanë se gjatë operacionit për kapjen e djalit të autorit është gjetur në një banesë të familjes Kuka në Kurjan edhe një armë tip pistolete të cilën dyshohet se e ka pasur me vete djali i Altin Kukës gjatë përballjes me dy vëllezërit Kurtaj.

Për këtë ngjarje kanë folur dhe banorët të zonës, të cilët shprehën se viktimat dhe autori ishin shumë miq dhe çdo gjë ndodhi vetëm prej zënkës së fëmijëve.

“Shumë njerëz të nderuar dhe të respektuar. Shumë punëtorë. Por të njëjtën gjë themi dhe për autorin e ngjarjes. Probleme s’ka pasur. Takoheshin dhe kishin shumë shoqëri madje. Konflikti ndodhi për punë kalamajsh. U zunë fëmijët dhe vajti kjo punë. Dy ditë kishte si konflikt. U shokuam. Na erdhi keq. Të përfundonte këtu Altini, me vrasje. Si nuk i mblodhën kalamajtë, t’i fusnin nga një pëllëmbë. Momenti, nuk ishte e planifikuar. Jemi të shokuar, pa fjalë”.

“Nga fëmijët, u vranë të mëdhenjtë. Fëmijët u zunë, si është mosha e adoleshencës. Ne u habitëm sepse ai autori më shumë rrinte me ta. Arriti që u vranë. Në vend që t’i flisnin fëmijëve, u vranë të mëdhenjtë. Vetëm krismat dëgjuam”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA