“Ofron standarde të mira”, Balluku viziton shkollën e rikonstruktuar në Klos sipas parametrave të efiçencës së energjisë

11/09/2024 18:29

Tre shkolla në bashkinë e Klosit i janë nënshtruar një rikonstruksioni të plotë duke ofruar kushte shumë më të mira për të gjithë nxënësit.

Ndërhyrja për rikonstruksionin e këtyre shkollave është realizuar duke përmbushur të gjitha parametrat e efiçencës së energjisë.

Shkolla e Mesme e Bashkuar në Xibër të Klosit është një prej tyre, e cila u vizitua edhe nga Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila u njoh nga afër me të gjithë ndërhyrjen e realizuar.

Drejtori i Agjencisë së Efiçencës së Energjisë, Ani Hasa bëri të ditur detaje nga ky projekt me fokus reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe rritjen e konfortit termik. Pjesë e projektit është edhe vendosja e kaldajës për ngrohjen qendrore të godinës, si dhe vendosja e paneleve fotovoltaike.

“Në Klos janë tre shkollat e para në mënyrë direkte të Agjencisë së Efiçencës së Energjisë. Ky është projekti i parë pilot, por Agjencia për Efiçencën e Energjisë në mënyrë indirekte ka qenë edhe pjesë e fondacioneve të huaja, kryesisht dhe për zonën e Dibrës. Gjithashtu në fokus kemi pasur edhe godinat shumëfamiljare, rezidenciale, duke qenë se dhe ato kanë një konsum të konsiderueshëm të energjisë elektrike”, bëri të ditur Hasa.

Zëvendëskryeministrja Balluku e vendosi theksin tek përmirësimi i kushteve në institucionet arsimore, ndërsa duke u ndalua tek shkolla në Xibër tha se janë më shumë se 100 nxënës të cilët tashmë kanë kushte shumë të mira.

Balluku theksoi më tej se edhe me mbështetjen e partnerëve do të vijojë ndërhyrjet edhe në shkollat e tjera të vendit.

“Unë kam pasur një takim ditët e fundit me drejtoreshën rajonale të UNDP-së. Diçka që ata kanë nënvizuar dhe më kanë garantuar që do të vazhdojnë të na japin suport financiar me paketat e granteve është për pjesën e efiçencës së energjisë. Sigurisht duke pasur gjithmonë parimin që këto paketa duhet të shpenzohen në ndërtesa shtetërore, siç janë shkollat, kopshtet apo spitalet, që ne kemi ndërhyrë edhe në spitale, konvikte, siç është rasti i KFW-së për të gjitha konviktet që është duke bërë”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se “këto janë punë të mira që i gëzojnë fëmijët, që janë grupi për të cilin ne kemi një fokus të veçantë, dhe në këtë fillim viti shkollor këto janë lajme të shkëlqyera për prindërit të cilët ndihen tashmë që fëmijët i dërgojnë në shkolla me kushte të sigurta, por edhe më kushte optimale, siç është rasti i ndërtesave ku aplikohet eficenca e energjisë”.

Kryebashkiakja e Klosit, Valbona Kola e cilësoi si të domosdoshëm ndërhyrjen e realizuar në shkollën e Xibërit, për shkak të amortizimit të godinës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA