Një shqiptar që kultivonte bimë kanabisi në vlerë 105,000 paundë në Britani, është burgosur nga gjykata sot pasi justifikohej se ‘duhet të tregonte nder’ për të paguar borxhin që i detyrohej trafikantëve.
47 vjeçari Arben Kolgjoku u dënua me 20 muaj burg pasi tha se “ishte pjesë e kulturës së tij të punonte për të larë borxhin 7000 paundë”, duke u kujdesur për bimët ilegale të fshehura në një shtëpi në Gateshead, në veri të Anglisë.
Babai dy fëmijëve, pa adresë të saktë në Angli, pranoi akuzat dhe do të deportohet në Shqipëri pas kryerjes së dënimit, u tha në Gjykatën e Newcastle, shkruan rrjeti BBC.
Prokurori Kevin Wardlaw tha se policia kishte bastisur shtëpinë tre-katëshe më 17 maj, e cila ishte kthyer në fermë kanabisi me gati 300 bimë.
Zyrtarët thanë se Kolgjoku, i cili ishte në Angli prej tre vjetësh, ishte caktuar nga dikush tjetër në rolin e tij, dhe duhej vetëm të kujdesej për bimët.
Ai tha se borxhin prej 7,000 paundë “e kishte marrë hua për trajtim mjekësor për bashkëshorten në Shqipëri.”
Kolgjoku raportohej se tha se “e kishte traditë familjare të mos largohej nga përgjegjësitë e tij dhe të punonte për të larë borxhin”, por refuzonte të tregonte kujt i detyrohej paratë, nga frika e hakmarrjes.
Ai shtoi se vinte nga një familje fermerësh dhe ishte diplomuar në biokimi, kishte punuar disa kohë si roje private në Shqipëri dhe më pas kishte ardhur në Angli. /BBC/
Top Channel