Tre persona janë vrarë në një sulm në një pikë kufitare midis Jordanisë dhe Bregut Perëndimor sipas asaj që raportojnë zyrtarët izraelit.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se tre civilë izraelitë u vranë në të shtënat në kalimin e urës Allenby. “Atentatori iu afrua zonës nga ana jordaneze me një kamion, më pas doli dhe hapi zjarr”, tha IDF.
Forcat e sigurisë eliminuan personin e armatosur dhe IDF po kontrollon kamionin për shenja eksplozivi, thuhet në një deklaratë.
Pamjet video treguan sulmuesin duke ecur drejt terminalit dhe duke qëlluar me armën e tij tre herë para se të qëllohej për vdekje nga forcat izraelite të sigurisë. Mjekët thanë se tre të vrarët janë burra rreth të 50-tave.
Jordania thotë se po heton incidentin, i cili ndodhi në një zonë të kontrolluar nga Izraeli, ku automjetet jordaneze shkarkojnë mallrat që hyjnë në Bregun Perëndimor. Të dyja palët kanë mbyllur pikën kufitare.
Të gjitha kalimet tokësore të Izraelit me Jordaninë janë mbyllur gjithashtu pas incidentit.
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu tha se ishte një ditë e vështirë dhe u dërgoi ngushëllimet e tij familjeve të viktimave në fillim të një takimi të kabinetit. Ai shtoi: “Një terrorist i neveritshëm vrau me gjakftohtësi tre nga qytetarët tanë në urën Allenby”.
Top Channel