Asambleja e PS në Durrës, Rama: Sot hapim një kapitull të ri të jetës së kësaj familje! Në listat e mbyllura, vetëm deputetët me një mandat

08/09/2024 13:45

Kryesocialisti Edi Rama mbledhjen e parë të asamblesë së re socialiste në Durrës, e shfrytëzoi për të hedhur hapin e radhës të projektit të tij rinovues të cilin e quanti “PS e 2030” për “Shqipërinë 2030”.

Rama paralajmëroi se në listat për zgjedhjet e 2025, deputetët dhe drejtuesit e qarqeve me më shumë se një mandat do të garojnë në listën e hapur. Në listë të hapur do jetë edhe vetë Rama, ndërsa në listat e mbyllura, vetëm deputetët me një mandat.

Edi Rama: Ju uroj mirëseardhjen atyre 135 ndër ju, që janë ulur për herë të parë afër familjes sonë të madhe politike duke e kryer me dinjitet në komunitete tuaja detyrën e përfaqësuesit të asamblesë. E nderuar Asamble Kombëtare Partisë Socialiste!

Sot hapim një kapitull të ri të jetës së kësaj familje. Nga ky stacion, ku do të përmbyllim proceset e brendshme zgjedhore, duke ngarkuar edhe ekipin e ri drejtues, ne do të nisemi drejt përballjes për mandatin e 4 qeverisës të Partisë Socialiste, pranverën e ardhshme. Për 6 muaj duhet të jetë gati të zbresë zyrtarisht në fushë, skuadra jonë e re përfaqësuese PS 2030 për Shqipërinë 2030. Këtë herë në bazë të ligjit të ri zgjedhor pjesëtarët e përfaqësuese sonë do të jenë 187. 140 prej tyre në listën e votimit për garën e hapur në popull dhe 47 në listën e mbyllur të partisë. Është e udhës të ndaj me ju që sot, se më e mira është që deputetët me më shumë se një mandat, pa përjashtuar dhe drejtuesit politikë të qarqeve që hyjnë në këtë kategori, ku bëj pjesë edhe unë personalisht, të jenë në garë të hapur si të gjithë të tjerët, ndërsa në listën e mbyllur do të jenë vetëm pak prej tyre, të cilët do të kenë detyra specifike drejtuese dhe koordinuese, si p.sh Sekretari i Përgjithshëm dhe drejtuesi i ri politik i diasporës, në kushtet kur do të jetë dhe hera e parë e pjesëmarrjes në zgjedhje e shqiptarëve jashtë atdheut.

Kjo do të thotë se pjesa kryesore e listës së mbyllur do të jenë deputetë me vetëm me një mandat dhe të rinj e të reja që do të fitojnë vendin në atë listë, duke spikatur prej sot e deri në shkurt në garë individuale nga brenda ose jashtë partisë në mbështetje të shumicës sonë qeverisëse me angazhim politik në vendet e tyre të banimit apo përkatësisë profesionale në terren dhe në rrjetet sociale. Si gjithnjë kur unë flas për të rinj dhe të reja nuk kam parasysh thjeshtë moshën rinore, po mendësinë e re dhe forcat e reja për ndryshim.

Skuadra jonë përfaqësuese PS 2030, duhet të jetë shembëlltyra e ambicies tonë për Shqipërinë 2030. Ajo duhet të mishërojë energjinë e forcave dhe individëve progresistë të shoqërisë në qytet dhe në fshat, që diktojnë ritmin e zhvillimit në drejtime dhe sektorë të ndryshëm të jetës së vendit dhe sigurisht ajo duhet të integrojë eksperiencën e çmuar politike të atyre që i kanë shërbyer me dinjitet dhe me rezultate, ideve, qëllimeve, programeve dhe skuadrës së PS në Kuvend dhe në komunitete ku janë angazhuar gjatë këtyre viteve të transformimit epokal për Shqipërinë.
Shqipëria po bëhet dhe PS 2030 duhet të jetë skuadra e atyre që po e bëjnë Shqipërinë për mes angazhimit politik, si aktivistë të Partisë Socialiste apo angazhimeve qytetare si bartës të progresit në jetën publike, universitare, ekonomike dhe sociale të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA