Pas vendimeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, ka reaguar deputeti demokrat, Ervin Salianji, i cili ka komentuar zgjedhjet e Ramës.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai shkruan se figurat e reja të listës së mbyllur janë matrioshkat garantuese të mbrojtjes së Ramës në çdo rast risku eventual për ti marrë partinë pas humbjes së zgjedhjeve.
“Lajmet nga byroja e sotme e ‘Rilindjes’ ishin koperturat e reja të krimit për këto zgjedhje dhe masakrimi i elitës politikë të PPSH. Përgatitja që partia e punës të mos ketë asnjë individ që mund të rivalizojë autokratin.
Figurat e reja të listës së mbyllur janë matrioshkat garantuese të mbrojtjes së Ramës në çdo rast risku eventual për t’i marrë partinë pas humbjes së zgjedhjeve!
Propozimi i sotëm për listat i rrëzoi argumentin se duhet një listë e mbyllur që të garantojë funksionimin e partisë duke mbrojtur elitat.
Ku janë sot “të rinjtë” që propozoi dhe bëri ministra? Po këta deputetët e rinj të mandatit 2021-2025 i ka dëgjuar njeri?!
Lajmi tjetër është që përveç Ramës të gjithë janë lecka që përdoren dhe hidhen, por meqë Rama bëri këtë propozim për të përdorurit e tij, a do të dorëhiqet Rama si Kryeministër me më shumë se një mandat për të garuar si i barabartë? E meqë ka bindje se fiton dhe jo vjedh ta provojë se sa vlen para qytetarëve!”, shkruan Salianji.
Top Channel