21-vjeçari Klajdi Haka ra në prangat e policisë, pasi strehonte në shtëpinë e tij pranë liqenit të Bacungut të shumëkërkuarin e Niklës, Marklen Hakën, kushëririn e tij.
Në atë banesë policia gjeti dhe sekuestroi dhe një pistoletë pa leje që dyshohet se i përkiste 21-vjeçarit.
Operacioni për vënien në pranga të Hakës ishte mjaft kompleks për shkak të masave që i kërkuari kishte marrë, duke monitoruar me kamera zonën, por edhe me postblloqe njerëzish të cilët do ta njoftonin nëse policia paraqitej në zonë. RENEA qëndroi 4 ditë në vëzhgim derisa u krijuan kushtet për të ndërhyrë pasditen e së premtes, ku vunë në pranga Marklen Hakën të zbathur, teksa tentoi të largohej mes bimësisë.
Haka dyshohet për një seri veprash penale, ku më të rëndat janë vrasja e mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit si dhe pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal. Tashmë SPAK ka në dorë komunikime mes tij dhe Emiliano Shullazit gjatë vitit 2020 ku planifikonin vrasjen e Durim Bamit. Por për të gjitha këto prova dhe fakte që drejtësia ka në dorë kundër tij, Haka ka zgjedhur të mos i komentojë dhe as të japë versionin e tij për ngjarjen.
I heshtur, Marklen Haka ka qenë edhe kur është pyetur për lëvizjet e tij që prej majit kur i fshihej drejtësisë.
Top Channel