Nëna e 14-vjeçares, që solli në jetë një fëmijë, shprehet se ishte në dijeni të raportit të vajzës së saj me 21-vjeçarin dhe se e mitura kishte vendosur me dëshirën e saj të jetonte me të.
Në një intervistë për Top Channel, Luljeta Jenuzi kërkon lirimin e dhëndrit.
“E ka dashuruar vajza edhe ne kemi rënë dakord. Dua që dhëndri të dalë sa më shpejt. Ne kështu jemi martuar, të vogla. Edhe unë jam martuar 12 vjeç. Për ne nuk është problem mosha, ne në racën tonë martohemi të vogla. Vajzën tonë e kemi martuar me dëshirë. Ne jemi nga Elbasani dhe e kemi martuar vajzën në Korçë me dëshirë. Dua të dalë dhëndri sa më shpejt. Ai punon dhe mban nusen. Kur ka lindur është njoftuar policia për rastin. Në spital e ka shoqëruar vajzën bashkëshorti”.
14-vjeçarja lindi një ditë më parë në maternitetin e qytetit të Korçës, ndërsa pas deklarimeve të marra nga Specialistët për Hetimin e Krimit 21-vjeçari me inicialet D.K. pranoi që është babai i fëmijës. Ai u ndalua për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.
Top Channel