Kompania “Eco Tirana” do të nisë një aksion të gjerë për pastrimin e të gjitha zonave problematike jashtë qendrës së Tiranës, pas braktisjes së punës nga kompanitë private, që ishin pajtuar për kryerjen e shërbimit.
Lajmi u bë i ditur nga kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë takimit që zhvilloi sot me punonjësit e pastrimit.
“Eco Tirana do të marrë në administrim të gjithë qytetin, duke u lënë operatorëve private që mbulonin zonat e ‘5 Majit’, ‘Don Boskos’, lagjen ‘Rilindja’ te Unaza e Madhe, një afat nga 1 tetor deri në 1 nëntor, sepse si çdo marrëdhënie që ndërpritet jepet edhe një afat sepse nuk bëhet në mënyrë të palajmëruar. Ata menduan se duke i lënë këto zona pa pastruar dhe duke i çuar foto këtyre faqeve ‘anonim të lutem’, apo duke nxjerrë disa nga këta që ne i kemi rrahur ‘si gomari në duhan’ me 60 mijë vota diferencë, do t’i bënin presion kryetarit të bashkisë dhe ne do të dorëzoheshim, do ta hanim presionin. Ne nuk dorëzohemi! Vendimi ishte: Meqë ata duan ta zgjidhin me presion, ne do ta marrim që tani në administrim zonën te lagjja ‘Rilindja’ te Unaza e Madhe, po ashtu edhe zonën e ‘5 Majit’ te Bregu i Lumit, dy muaj para mbarimit të kontratës së shërbimit. Kjo do të thotë se në dy muajt e ardhshëm do duhet që të operojmë me një sens emergjence në këto zona”.
Me urdhrin e ri të kryetarit të Bashkisë, administratorët e njësive do të mbikëqyrin dhe do të përgatisin një raport për të ndihmuar kompaninë publike të pastrimit.
“Kam vendosur që pjesë e aksionit të bëhen edhe administratorët e njësive. Nga sot kam nxjerrë një urdhër, ku detyra e administratorëve të njësisë do të jetë gjithashtu edhe mbikëqyrja, edhe ndihma, edhe raportimi për Eco Tiranën dhe kryetarin e Bashkisë. ju lind edhe detyra që të mbikëqyrni, të ndihmoni, të bëni raportime dhe të gjithë bashkë të dalim faqebardhë me pastrimin e Tiranës”.
Kryebashkiaku Veliaj tha se me kalimin e emergjencës së krijuar, bashkia do të rrisë pagat dhe shpërblimet për punonjësit e pastrimit të Tiranës.
Top Channel