Hetimet për vrasjen e 62-vjeçarit Enver Balla nxjerrin një tjetër një tjetër autor, që dyshohet se ka ndihmuar Esmerald Ballën të transportonte trupin e të atit pasi e vrau.
25-vjeçari Edison Brahaj, mik i Esmerald Ballës, e ka ndihmuar në transportimin me automjet të trupit të viktimës nga vendi i ngjarjes deri te vendi ku u gjet nga policia.
Gjatë kontrollit në banesën e 25-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua një shumë prej 145 000 lekësh. I riu u arrestua për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.
Krimi i rëndë u zbulua një ditë më parë pas hetimeve të Policisë, ndërkohë që në 13 gusht, autori Esmerald Balla kishte denoncuar të atin sikur ishte larguar nga banesa dhe nuk kishte mundur të lidhej më me të.
Menjëherë pas këtij denoncimi, djali tjetër i Enver Ballës, shtetasi A. B., është kthyer nga Italia dhe ka kallëzuar në Polici, se në rrjetin social Instagram, i kishte shkuar një mesazh, nga një shtetase e panjohur prej tij. Në mesazh thuhej që familjarët të mos e kërkonin 62-vjeçarin, pasi ai ishte larguar me pushime.
Para këtyre fakteve, për Policinë e Durrësit lindën dyshime se ngjarja mund të ishte një krim brenda familjes. Pas hetimeve, u vu në pranga 30-vjeçari Esmerald Balla, i cili pranoi autorësinë e krimit. Ai ka pohuar në polici se vrau të atin me pistoletë në gjaknxehtësi e sipër pas një konflikti që kishte me të për një shumë lekësh (7 500 000 lekë të rinj, kursime të përbashkëta familjare) që dyshonte se ia kishte vjedhur 62-vjeçari.
Armën e krimit e ka hedhur në një kanal, ndërsa trupin e babait e ka transportuar dhe hedhur në një pus në një arë të këtij fshati, rreth 1 kilometër larg nga vendi i ngjarjes.
Trupi i 62-vjeçarit u transportua në Morgun e spitalit të Durrësit për ekzaminim mjeko-ligjor, ndërsa këtë të enjte do të përcillet në banesën e fundit, teksa familja ka hapur dyert e mortit.
Top Channel