Liridon Rexhepi, i identifikuar si kreu i rrjetit financiar të Mossad-it në Turqi nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës (MIT), u arrestua nga Departamenti i Antiterrorit i Policisë së Stambollit

Sipas Anadolu Agency, burime të sigurisë thanë se Rexhepi ka menaxhuar rrjetin financiar të Mossad-it në Turqi.

Rexhepi, për të cilin është përcaktuar se ka kryer incizime me dron dhe aktivitete operative psikologjike kundër politikanëve palestinezë me udhëzimet e Shërbimit izraelit të inteligjencës, mësohet se ka transferuar para për personelin e terrenit në Turqi që përpilonin informacione lidhur me Sirinë.

MIT ka përcaktuar se të gjitha lëvizjet e Rexhepit, veçanërisht lëvizjet e dyshimta në llogaritë e tij, janë monitoruar dhe ai ka bërë transferta të shumta parash për personelin në terren në Turqi nëpërmjet Western Union.

Aktivitetet e tij janë monitoruar nga 25 gushti kur ai ka hyrë në Turqi.

Si rezultat i punës së koordinuar midis MIT-it dhe Departamentit të Antiterrorit të Policisë së Stambollit, Rexhepi është ndaluar më 30 gusht.

Rexhepi në deklaratën e tij në polici pranoi se ka transferuar para, ndërsa me urdhër të gjykatës u arrestua.

Lidhur me këtë lajm ka shkruar edhe DailySabah, sipas të cilit, shtetasi kosovar që besohet se po transferonte para për operativët e agjencisë së inteligjencës izraelite Mossad në Turqi, u kap në një operacion të përbashkët nga inteligjenca turke dhe policia e Stambollit.

Sipas AA, si rezultat i operacioneve të MIT-it, është përcaktuar se Mossad-i, për personelin e tij në terren në Turqi ka transferuar para nga vendet e Evropës Lindore, veçanërisht nga Kosova.

Si rezultat i monitorimit të parave, u mësua se personeli në terren në Turqi i transferonte paratë që vinin nga Kosova në nënburime në Siri përmes Western Union dhe kriptomonedhës.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovës, Albulena Haxhiu nuk dha detaje për arrestimin e Liridon Rexhepit nga autoritetet turke nën dyshimet se menaxhonte rrjetin financiar të Mossad-it.

“MD ka një bashkëpunim të shkëlqyer me Turqinë. Na kanë dërguar pyetje me shkrim, por për shkak të ndjeshmërisë së rastit, kam kërkuar nga drejtori i departamentit të më njoftojë për çështje që mund të informohet publiku dhe në momentin që i kemi do i ndajmë me publikun ato çështje të cilat janë për opinionin publik”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA