Begaj vizitë zyrtare në tre vende baltike/ Takohet me homologun letonez: U sigurua mbështetja e plotë për integrimin e Shqipërisë në BE

03/09/2024 14:47

Presidenti i Republikës,  Bajram Begaj, nisi sot vizitën shtetërore në Letoni.

Riga ishte ndalesa e parë në Republikat Baltike. Kjo është dhe vizita e parë shtetërore e një Presidenti të Shqipërisë që ndërmerret në tre vendet baltike:Letoni, Estoni dhe Lituani.

Në pritjen e organizuar për nder të Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj merrnin pjesë Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, Kryetarja e  Parlamentit, Daiga Mieria, Kryeministrja, Evika Siliņa, si dhe përfaqësues të tjerë të shtetit dhe qeverisë letoneze.

Presidenti i Republikës zhvilloi fillimisht një takim kokë më kokë me homologun e tij Rinkēvičs, të cilin e falënderoi për pritjen, duke e cilësuar si një moment për të forcuar dialogun politik të shkëlqyer mes dy vendeve mike që ndajnë qëndrime të përbashkëta për çështjet rajonale dhe globale.

Presidenti Begaj shprehu përkushtimin e Shqipërisë për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

Për sa i përket marrëdhënieve ekonomike, Presidentët e dy shteteve biseduam për rritjen dhe zgjerimin e tyre, duke përfshirë investimet direkte, turizmin, shkëmbimet tregtare, arsimin dhe kërkimin shkencor.

Në këtë aspekt, u propozua vendosja e një linje ajrore direkte të përhershme, e cila do të sjellë afrimin mes dy vendeve, rritjen e fluksit të shkëmbimeve dhe të turizmit.

Ndërsa vlerësoi mbështetjen e Letonisë përgjatë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, Presidenti i Republikës u shpreh se me përparimin e jashtëzakonshëm në përafrimin me standardet e BE-së, Shqipëria shpreson për një rrugë të qartë dhe të shpejtë drejt anëtarësimit të plotë në Union.

Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor u konsiderua në takim si një rrugëzgjidhje përballë influencave të palëve të treta të shtuara me agresionin Rus në Ukrainë dhe si një mundësi për të nxitur stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohje ndaj Letonisë për kontributin në rajon, duke theksuar praninë e trupave në kuadër të KFOR-it dhe mbështetjen ndaj Kosovës për integrimin Euroatlantik.

Në takim u bisedua për sfidat e reja me të cilat Shqipëria dhe Letonia përballen si aleate në NATO dhe në këtë aspekt u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. “Shqipëria, – u shpreh Presidenti Begaj, – mbetet në solidaritet me Letoninë me trupat e saj në batalionin shumëkombësh të NATO-s në Adazi.

Biseda kokë më kokë mes Presidentëve Begaj dhe Rinkēvičs u pasua nga takimi i zgjeruar me pjesëmarrjen e delegacioneve përkatëse dhe më pas krerët e dy shteteve zhvilluan konferencën e përbashkët për mediat.

Deklarata nga plotë e Presidentit Bajram Begaj:

Lejomëni të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për mikpritjen e ngrohtë që më rezervuat mua dhe delegacionit tim gjatë vizitës sime shtetërore në Letoni.

Jam i lumtur të vizitoj qytetin e bukur të Rigës ndërsa shënojmë 96-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike dhe 32 vitet e rivendosjes së këtyre marrëdhënieve.

Këtë vit, ju festuat 20-vjetorin e anëtarësimit tuaj në NATO dhe në Bashkimin Europian dhe mund të them se arritjet tuaja kanë qenë një frymëzim që Shqipërinë t’i bashkohet këtyre organizatave.

Sot, ne jemi aleatë në NATO, dhe së shpejti, ëndërrojmë dhe synojmë të jemi së bashku në BE. Sigurisht që Shqipëria dhe Letonia gëzojnë marrëdhënie shumë të mira dypalëshe dhe kemi zhvilluar një dialog politik të shkëlqyer që ndan të njëjtat qëllime strategjike dhe mbështet vlerat europiane të përbashkëta.

Dialogu ynë politik ekzistues duhet të inkurajojë bashkëpunim më konkret dypalësh dhe shumëpalësh në të gjitha fushat e interesit të ndërsjellë për përfitimet e qytetarëve tanë, duke përfshirë ekonominë, shkëmbimet tregtare, turizmin, shkëmbimet kulturore dhe të të rinjve etj. Jam i bindur se diskutimet e frytshme të sotme do të ndihmojnë të ecim shpejt dhe me guxim në atë drejtim.

Si aleatë të NATO-s, Shqipëria dhe Letonia bashkëpunojnë ngushtë në mbrojtje dhe siguri. Ne përballim sfida të përbashkëta dhe të ngjashme që kërkojnë forcimin e bashkëpunimit tonë në mbrojtjen kolektive dhe aspektet dypalëshe.

Jam krenar të theksoj se Shqipëria ka kontribuar me trupa në Brigadën Multinacionale që nga viti 2017. Roli i Letonisë si një vend pritës dhe mbështetja që ofron për trupat kanë qenë jetike për suksesin e kësaj Brigade.

Gjithashtu vlerësojmë kontributin e Letonisë me trupa në misionin e KFOR- it në Kosovë, duke theksuar se KFOR luan një rol jetik në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kontributi dhe shërbimet e ushtarëve tuaj vlerësohen lart nga ne.

Anëtarësimi i Letonisë në BE ka qenë një nga historitë e suksesshme të procesit të integrimit të BE-së, dhe do të doja të shpreh urimet e mia të sinqerta për popullin letonez për arritjen e kësaj pike të rëndësishme.

Gjithashtu, mbetemi mirënjohës ndaj Letonisë dhe Juve personalisht, Z. President, përfshirë pozicionet tuaja personale të mëparshme, për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme që jepni për zgjerimin e BE-së dhe veçanërisht për integrimin e Shqipërisë në BE. Kontributi Juaj, qoftë në nivel dypalësh, nëpërmjet Brukselit apo përmes Procesit të Berlinit si edhe në kuadër të Grupit të Tallinit, vlerësohet lart nga Shqipëria.

Anëtarësimi në BE mbetet prioriteti strategjik i Shqipërisë. Shqipëria ka një politikë të jashtme plotësisht të linjëziar me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së BE-së.
Ne kemi punuar me përkushtim për të zbatuar reforma të kërkuara për anëtarësimin në BE, veçanërisht në fushat si sundimi i ligjit, anti-korrupsioni dhe qeverisja ekonomike. Gjithashtu, kemi qenë të fokusuar në përmirësimin e efikasitetit administrativ dhe në përputhjen e politikave tona.

Shqipëria është e përkushtuar të mbajë momentumin e përpjekjeve të saj reformuese dhe të sigurojë që vazhdojmë të përmbushim standardet e larta të kërkuara për anëtarësim.

Në të njëjtën kohë, BE-ja duhet të adresojë në mënyrë proaktive nevojat dhe sfidat specifike për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo përfshin përshpejtimin e projekteve të infrastrukturës që lidhin rajonin më ngushtë me pjesën tjetër të Europës, forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe integrimin e ekonomive rajonale në tregun më të gjerë të BE-së.

Gjatë takimit tonë të frytshëm, diskutuam për bashkëpunimin ekonomik midis vendeve tona. Së fundmi, kemi parë një rritje të vlerave të flukseve tona tregtare dypalëshe. Kjo na bën të besojmë se përmirësimi i këtyre rezultateve së shpejti është brenda mundësive tona.

Bashkëpunimi ekonomik duhet të shkojë dorë për dore me rritjen e kontaktit midis popujve tanë. Dhe në këtë kontekst, ka lajme të mira: fillimi i fluturimeve charter midis Rigës dhe Tiranës do të rezultojë në vizita gjithnjë e më të shumta të qytetarëve të Letonisë dhe vendeve të tjera baltike në Shqipëri si turistë. Ky është një fillim i mirë, por nuk është i mjaftueshëm. Do të donim të shihnim më shumë përfshirje.

Z. President, Shqipëria është vërtet e interesuar të presë investime të drejtpërdrejta letoneze në sektorë të ndryshëm të interesit të përbashkët, si në energji, infrastrukturë, tregti, turizëm, arsim dhe bujqësi.

Letonia është një vend mik me të cilin ndajmë qëndrime të përbashkëta mbi çështje të rëndësishme rajonale dhe globale. Ne vlerësojmë kontributin dhe angazhimin e Letonisë për të mbështetur proceset e integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në rajon. Jemi mirënjohës për kontributin dhe mbështetjen e Letonisë ndaj Kosovës, duke përfshirë aspiratën e Kosovës për t’u bashkuar me organizatat ndërkombëtare. Ne besojmë fort se kjo kontribuon në forcimin e paqes dhe stabilitetit dhe nxit zhvillimin pozitiv në rajon dhe më gjerë.

Gjatë takimit tonë, shpreha solidaritetin tonë të plotë me Ukrainën dhe përsërita mbështetjen tonë të palëkundur dhe të vazhdueshme për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Është jetike për sigurinë tonë të përbashkët që të rrisim dhe të mbajmë mbështetjen tonë për Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të siguruar që Ukraina të triumfojë si një komb i lirë dhe sovran. Mbështetja për Ukrainën është një investim në sigurinë tonë.

Shqipëria mbështet Formulën e Paqes të Presidentit Zelensky, dhe ne besojmë se e ardhmja e Ukrainës është brenda familjes Euro-Atlantike. Ne gjithashtu mbështesim synimin e Ukrainës për të bërë pjesë në NATO sa më shpejt që kushtet të lejojnë.

Për sa i përket kontributit të Shqipërisë ndaj Ukrainës, lejomëni të përmend që ne kemi mbështetur Ukrainën ushtarakisht, diplomatikisht dhe me ndihma humanitare, por do të doja të veçoja disa momente të rëndësishme: për shembull, Shqipëria bashkëorganizoi me Ukrainën në Tiranë Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore, dhe sigurisht kur Shqipëria ishte kryesuese jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ne ishim bashkë-penmbajtës për çështjet e Ukrainës së bashku me SHBA-në.

Sigurisht, në atë organizatë Shqipëria ka qenë gjithmonë e prerë që ne jemi mbështetësit e palëkundur të Ukrainës, dhe dënojmë në termat më të fortë agresionin e padrejtë dhe të paprovokuar rus në Ukrainë.

Shqipëria dhe Letonia janë vende mike që janë aleate e së shpejti partnerë në BE.
Le të zhvillojmë në më të mirën e saj këtë marrëdhënie për të patur sa më shumë përfitime për vendet tona dhe për qytetarët tanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA