Vdekjet në fermat e emigrantëve në jug të SHBA tregojnë koston e rëndë të ‘ëndrrës amerikane’ (fotot)

02/09/2024 16:39

Vitin që shkoi Hugo pa sesi një shoku i tij vdiq papritur nga ataku kardiak duke punuar në një fushë patatesh gjatë të nxehtit në Karolinën e Veriut.

“Ata e detyronin të punonte. Ai u tha vazhdimisht se nuk ndehej mirë, por një orë në vonë ndërroi jetë”, kujton emigranti i cili shumicën e kohës ka punuar në bujqësi në jug të SHBA.

Rrjeti BBC shkruan se emigranti përdori një pseudonim pasi trembej nga pasojat e raportimit të incidentit .

Hugo ka ardhur nga Meksika në 2019 me një vizë pune për SHBA, duke lënë pas gruan e dy fëmijë për të ndjekur atë që reklamohet si “Ëndrra Amerikane”, por tashmë nuk është i sigurtë nëse do të kthehet.

Shoku i tij që vdiq në fushë ishte Jose Arturo Gonzalez Mendoza.

29 vjeçari humbi jetën në 2023 dhe la pas gruan e fëmijët në Meksikë.

“Ne vijmë këtu nga nevoja dhe lëmë familjen në shtëpi”, tha Hugo.

Në vende pune si ferma, fabrika mishi, kuzhinierë apo punëtorë ndërtimi, emigrantët kryejnë punë të rrezikshme dhe vdekjet e tyre nuk publikohen plotësisht nga mediat publike. Por prej vitit që shkoi çështja ka marrë një vëmendje të re prej një shtimi të frikshëm të të vdekurve në vendet e punës, e shoqëruar me vërshimet e pakontrolluara nga kufiri jugor dhe retorikën anti-emigracion.

Detajet e vdekjes së Mendoza u paraqitën në një raport të ministrisë së punës e cila gjobiti fermën Barnes Farming Corporation – për kushtet e rrezikshme dhe mungesën e mbrojtjes nga i nxehti.

Disa orë para vdekjes Mendoza, sipas raportit “ishte konfuz, kishte vështirësi në të ecur, në frymëmarrje, derisa vdiq nga ataku kardiak.

Industria bujqësore në SHBA ka shënuar numrin më të lartë të vdekjeve në vendin e punës në SHBA, e ndjekur nga industria e transportit dhe e ndërtimit, sipas statistikave shtetërore.

Gjashtë punonjës latino-amerikanë kanë vdekur në Baltimore në mars kur ura ku po punonin u shemb gjatë natës.

Disa javë më vonë një autobus me punëtorë fushe humbi kontrollin në Florida, duke lënë tetë prej tyre të vdekur, shkruan rrjeti BBC.

Si Mendoza e Hugo kishin viza pune H2A siç marrin shumica e punonjësve të përkohshëm nga Amerika Latine.

Statistikat thonë se 70% përqind e punonjësve të fermave janë të huaj, tre të katërtat e të cilëve latinë.

“Ëndrra amerikane është një mjet i fortë tërheqës për shumë njerëz të dëshpëruar në të gjithë botën,” tha prokurori amerikan David Estes, duke shtuar se ata që hyjnë ilegalisht kanë edhe më pak mbrojtje nëse merren në punë.

Rreth gjysma e punëtorëve të bujqësisë në SHBA janë pa dokumentacion, sipas qendrës vendase të studimit të emigracionit.

Rreziqet përfshijnë ekspozim ndaj kimikateve, gazrave toksike apo mbytjes.

Megjithëse autoritetet thonë se kanë punuar për shtrëngimin e rregullave kundër abuzimit të emigrantëve retorika politike e zgjedhjeve ka shtuar në përçmimin ndaj tyre.

“Shumë nga ne heshtin ndaj abuzimeve pasi tremben nga ashpërsimi i ligjeve. Njerëzit na trajtojnë keq, sidomos kur nuk dimë të flasim anglisht”, shton ai, sipas BBC.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA