Luftë me armë në Prishtinë/ Përplasen dy familje, një i vrarë dhe pesë të plagosur. U lëshuan 100 plumba

02/09/2024 15:35

Një person ka mbetur i vdekur dhe pesë të tjerë janë plagosur nga shkëmbimi i zjarrit mes dy grupeve në lagjen Aktash të Prishtinës.

Viktima është Premtim Gashi, nga radhët e grupit të njohur në kryeqytet si Capat, të plagosurit e tjerë që janë pjesë e këtij grupi janë edhe Korab Gashi, Robert Llumnica, Fatos Abazi dhe Valdrin Ademi.

Nga radhët e grupit të Sekiraqëve është Salih Sekiraqa që ka mbetur i plagosur.

Të plagosurit janë nën ndalim të Policisë së Kosovës pasi të njëjtët janë të përfshirë në përleshjen e armatosur.

“Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “Vrasja e Rendë” në bashkëkryerje, si dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku në këtë rast me vendim të prokurorit janë ndaluar pesë (5) persona”, ka bërë të ditur Prokuroria e Prishtinës.

Është njoftuar po ashtu se në kërkim janë edhe disa persona të tjerë si të përfshirë në përleshjen e armatosur të së dielës dhe prokuroria thotë se po punon në identifikimin e tyre.

Si motiv deri tani mendohet të kenë qenë mosmarrëveshjet e mëhershme të dy grupeve dhe sidomos rasti i marsit të këtij viti ku njëri nga anëtarët e grupit të Sekiraqëve kishte plagosur Premtim Gashin, viktimën e së dielës nga radhët e grupit të Capave.

Rruga “Gazmend Zajmi”  ku ndodhi përleshja mbeti e bllokuar deri pasditen e së hënës dhe sipas informacioneve dyshohet se janë shkrepur mbi 100 plumba.

Banorët e lagjes duke mos dashur të identifikohen kanë treguar që kanë dëgjuar të shtënat dhe kanë parë persona të maskuar.

Sipas dyshimeve të para, konflikti mes grupeve ka nisur në një lokal dhe ka përfunduar me të shtëna në rrugë.

Tre prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë, megjithatë të gjithë janë jashtë rrezikut për jetën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA