Zëvendëskomandanti i misionit paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, Federico Bernacca, është takuar me një delegacion të Listës Serbe, me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë.

Sipas një njoftimi për media, takimi u mbaj në selinë e KFOR-it në Prishtinë dhe në krye të delegacionit të Listës Serbe, ishte kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek.

“Ata [Lista Serbe] ndaj qëndrimet e tyre për zhvillimet e fundit të sigurisë, përfshirë në veri të Kosovës. Gjenerali Bernacca i dëgjoi shqetësimet e shprehura nga delegacioni. Ai theksoi se KFOR-i ka një prani të dukshme dhe fleksibile në mbarë Kosovën dhe është i përgatitur mirë ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë”, u tha në njoftimin e KFOR-it.

Zëvendëskomandanti i KFOR-it, sipas njoftimit, tha se ky mision është i përkushtuar që të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin për të gjithë personat që jetojnë në Kosovë, sipas mandatit që derivon nga Kombet e Bashkuara.

“Në këtë drejtim, KFOR vazhdon të mbështesë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit që lehtësohet nga BE-ja”, u tha në njoftim.

Ky takim i delegacionit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, vjen një ditë pasi autoritetet në Kosovë mbyllën pesë institucione paralele në veri të Kosovës.

Nga Qeveria e Kosovës deklaruan se institucionet paralele serbe kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Po më 30 gusht, kreu i Listës Serbe, Zllatan Ellek, në një konferencë për media tha se me këto veprime “u pa qartë se [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti i do serbët në Kosovë. Kjo është një përpjekje tjetër për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova, e para së gjithash nga veriu”.

“Me këtë veprim sot, Kurti tregoi se nuk i do institucionet e Republikës së Serbisë, nuk e do Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe as serbët në Kosovë, e sidomos në veri”, tha ai.

Aksioni i kryer nga Policia e Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, që e kanë cilësuar si veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

Ambasada amerikane në Prishtinë tha se veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të Kosovës pasqyrojnë përkeqësimin e partneritetit mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

KFOR-i, që është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), më herët gjatë të shtunës rriti praninë mbi urën kryesore në Mitrovicë.

Nga KFOR-i thanë se kjo ishte një “operacion rutinor”, dhe më pas prania mbi urë u reduktua./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA