Në episodin e parafundit të podcastit “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio është trajtuar tema “I ndaluar në Shengen” ku në fokus kanë qenë ekspulset që vendosin vendet e zonës Shengen ndaj shtetasve shqiptarë.
Mes shkaqeve të dëbimit është përfshirë edhe kërkim azili i padrejtë, dhe për rastet kur shtetasi nuk është kthyer vullnetarisht nga një vend europian, rezulton të jetë deportuar. Rastet e tjera të ekspulsit renditen kryerja e një krimi dhe dënimi për shkelje të ligjit të kombësive të BE. Por, edhe kur jepet leje qëndrimi mbas informacionit të pasaktë tek autoritetet, qëndron në Bashkimin Europian pa leje qëndrimi ose vizë të vlefshme, nuk largohet pavarësisht dhënies së një afati për t’u kthyer psh. mbas refuzimit për mbrojtje ose punon në vende të zonës Shengen pa patur një leje qëndrimi.
Pjesë nga intervista:
Anila Hoxha: Ermal, nga cili shtet e kishe ekspulsin?
Ermal Fezga: Unë ekspulsin e kisha nga shteti italian.
Anila Hoxha: Në cilin vit?
Ermal Fezga: 22 qershor të vitit 2015, mua më kanë ndaluar në Kurt të Zyrihut, nga atje më kanë kthyer, për në Shqipëri. Tashmë kisha 3 “foglio di via”, nga shteti italian.
Anila Hoxha: Çfarë do të thotë “foglio di via”, për dëgjuesit?
Ermal Fezga: Është një letër që firmos për të lënë shtetin Italian, për t’u kthyer mbrapsht.
Anila Hoxha: Një shkresë paralajmëruese? Po, pse shteti italian të njoftonte? Në cilin qytet ishe i vendosur? Përse kërkonte që ti të largoheshe?
Ermal Fezga: Unë isha i vendosur në qytetin e Milanos dhe më kishte mbaruar afati i qëndrimit, prej një viti në Itali. Kështu, që mbas ndalesave që na bënin nëpër qytete ose kur ktheheshim nga puna në orët e vona, na mernin dhe na mbanin 12 orë aty brenda dhe më pas na jepnin këto “foglio di via” që të shkonim të nesërmen, ose në një datë që caktonin ata për të firmosur vetë për t’u kthyer mbrapsht në atdhe.
Anila Hoxha: Po pse nuk i dije rregullat e qëndrimit në vendet e Bashkimit Europian apo e kishe të domosdoshme të punësoheshe në Itali?
Ermal Fezga: E kishim të domosdoshëm punësimin, por edhe frika se po t’u kthenim nuk kishim për t’u kthyer më, se ishte 3 muaj këtu, 3 muaj atje, ajo koha e qëndrimit me një fjalë.
Anila Hoxha: E kishe tentuar edhe më herët këtë kohën tranzitore, qëndro 3 muaj, puno tre muaj në Itali, kthehu tre muaj në Shqipëri?
Ermal Fezga: E kisha kaluar shumë herë atë afatin por ishte fati im që nuk më kishte dalë në sistem. Kam kaluar 6 muaj, 1 vit, jam kthyer dhe nuk është se më kanë thënë gjë. Herën e fundit ndoshta u bë një çik më shumë problematike, se shumë shqiptarë filluan duke ardhur dhe ndoshta them nga kjo.
Anila Hoxha: More paralajmërimet nga shteti italian dhe në këto kushte si veprove?
Ermal Fezga: Si veprova?! U mundova të rrija sa më i fshehur nëpër rrugët e Italisë se nuk kisha çfarë zgjidhje tjetër të bëja. Për t’u kthyer nuk u ktheja dot se s’kisha as punë, asnjë gjë këtu. Kurse atje isha mirë, isha në punë. Shkoja rregullisht në punë pavarësisht se ishim në të zezë.
Anila Hoxha: Ku punoje? Çfarë punoje?
Ermal Fezga: Kam punuar në një firmë italiane, vendosnim dyer të blinduara, u merrnim me patinime, me restaurime, punë të zezë.
Anila Hoxha: U vure në dijeni për ekspulsin, pra për ndalesën apo menjëherë u zhvendose në një shtet tjetër, mbasi të dhanë paralajmërimin?
Ermal Fezga: Mbas 3 paralajmërimeve që kisha marrë nga shteti Italian, me anë të shokëve gjeta një punë tjetër në Zvicer, në Kurt, të Zyrihut, me anë të disa shqiptarëvë tanë atje, në një fabrikë druri. Mbas 3 muajve, që punova atje, ditën që po dilja me ble cigare në një dyqan që kishim afër në një market, aty më ndaluan. Më mbajtën 4 ditë paraburgim në Zyrih dhe pas 4 ditësh më sollën në Tiranë.
Anila Hoxha: Pra, u deportove?
Ermal Fezga: Po.
Anila Hoxha: Iu informuan sakaq që ju kishit edhe një ndalesë?
Ermal Fezga: Po, shteti zvicerian më solli një zarf, që më thonte “ke marrë këtë vendim nga shteti zvicerian për këto arsye, ke edhe një gjobë prej 400 frangash”, që e pagova edhe atë, kurse shteti italian më solli pas një viti letrën që më thonte “për 5 vjet je i ndalur të hysh në Europë”.
Anila Hoxha: Zvicra sa e kishte ndalesën apo e thënë ndryshe ekspulsin? Për çfarë periudhe?
Ermal Fezga: 2 vjet. Më datë 22 qershor të vitit 2015, unë erdha këtu dhe më datë 22 qershor të vitit 2017 mua më sollën një zarf ku më thonin se “për shtetin zvicerian ti je i lirë, mund të vish kur të duash si vizitor. Tani problemin e ke me shtetin italian”.
Anila Hoxha: Ekspulsin me Italinë, për çfarë periudhe ishte?
Ermal Fezga: Periudha 2015-2020.
Anila Hoxha: Dmth, e paske përfunduar.
Ermal Fezga: Është përfunduar.
Anila Hoxha: Hape ndonjë betejë gjyqësore? Tentove ndonjëherë në pikat e kalimit kufitar duke qenë se ishe i informuar që kishe 2 ndalesa, njëra me kohë më të gjatë dhe tjetra me një periudhë më të shkurtër. Tentove të kaloje ndonjëherë, psh. të udhëtoje drejt vendeve të Ballkanit apo drejt vendeve të Bashkimit Europian apo ishe i informuar?
Ermal Fezga: Të them të drejtën e kam provuar në shtetin e Maqedonisë. Aty më kanë bërë problem, më kanë mbajtur rreth 2 orë derisa më thanë që “ke probleme, nuk mund të lëmë”. Se ishte një periudhë që thoshin që nga Maqedonia, kaloje kollaj për të shkuar, ose nga Kosova. Po, nuk më kanë bërë problem më kanë mbajtur në kufi 2-3 orë dhe më kanë lënë pastaj. Kam shkuar në Maqedoni.
Anila Hoxha: Vazhdove udhëtimin?
Ermal Fezga: Po, por më tej jo. Nuk e kam provuar që të hy në Europë.
Anila Hoxha: Ndërkohë hapët ndonjë proces gjyqësor në Shqipëri apo si veprove?
Ermal Fezga: Pa mbaruar 5 vjet i ekspulsionit, me avokatin tim personal bëra një kërkesë tek ambasada italiane këtu në Tiranë, nuk ma aprovuan. Më sollën një shkresë që më thoshin “duhet të presësh datën e mbarimit të ekspulsionit që të dalësh nga sistemi i sistemit TIMS”, që e kanë këto.
Anila Hoxha: Nuk hape proces gjyqësor?
Ermal Fezga: Nuk hapa proces gjyqësor, se nuk e pashë me interes.
Anila Hoxha: Sepse ishe i qartë që ishte një vendim dëbimi i policisë italiane apo autoriteteve të tjera?
Ermal Fezga: I policisë italiane.
Anila Hoxha: Dhe si e konsideronin ata? Pse po dëboheshe? Pse nuk lejoheshe?
Ermal Fezga: Për shkeljen e afatit të qëndrimit në shtetet e Europës.
Anila Hoxha: Çfarë pengesë të solli në mënyrën e të jetuarit, kjo ndalesë me Italinë dhe ndalesa tjetër me Zvicrën?
Ermal Fezga: Më solli më tepër për ekonominë se isha në marrëdhënie pune dhe kisha të ardhura të mira si në Itali, si në Zvicër, po si vendi jot s’ka. Kur u ktheva bëra biznesin tim, kështu që jam më i lumtur këtu në vendin tim sesa të shkoj prapë andej.
Anila Hoxha: Të doli më mirë? E ndave mendjen që nuk mund të jetoje pak këtu, pak atje?
Ermal Fezga: Shiko se edhe ato lekë që i merrje atje në fund të muajit jo qiraja, jo dritat, jo gazi, se në Itali, në Milano, nuk paguan ujë, vetëm gaz dhe drita, plus biletat e trenit. Dmth. nuk ishte se dilte ndonjë gjë në fund të muajit. Kështu më mirë këtu në shtëpi tënde, nuk paguan qira, paguan vetëm drita, ujë (qesh).
Anila Hoxha: Tanimë, që kanë përfunduar të dyja dënimet administrave për ju, ke udhëtuar? E ke provuar të udhëtosh drejt vendeve të BE?
Ermal Fezga: Po, para një muaji. Provova të shkoja në Rumani me letrën që më ka dhënë avokati, sipas procedurave që “ka mbaruar koha e ndalimit për në shtetet e BE” edhe nuk më thanë asnjë lloj problemi, si këtu në Rinas, si në aeroportin e Rumanisë.
Anila Hoxha: Pra, mësimi i radhës që ke marrë është ky tjetri, kudo ku do udhëtosh duhet të kesh pikërisht atë shkresën që tregon “se ka përfunduar dhe ka skaduar ndalesa”.
Ermal Fezga: Po, unë atë e kisha me vete, por faktikisht nuk m’a kërkuan sepse mendoj unë ndoshta ngaqë ka kaluar shumë kohë edhe nga mbarimi i ekspulsit dhe nuk e kisha vrarë shumë mendjen e mora, lehtëshëm pas asaj.
Anila Hoxha: Je i informuar pas kësaj, se sa është koha e qëndrimit tënd në vendet e BE?
Ermal Fezga: Jo, nuk jam i informuar. Por, mendoj se është 3 muaj prapë.
Anila Hoxha: Pra, këtë e di, që në rast se do t’a përsëritësh sërish do të kesh penalitete të tillë?
Ermal Fezga: Tani nuk ma merr mendja të iki më, edhe të rri andej, se jam mirë në vendin tim.
Top Channel