“Fol me Anila Hoxhën”/ Martesë fiktive për të fituar mbiemrin që të mos pikasen në pikat kufitare/ Gjyqtari Pollozhani: Shtetasit kanë deklaruar vetë që…

31/08/2024 22:30

Në episodin e parafundit të podcastit “Fol me Anila Hoxhën” në Top Albania Radio është trajtuar tema “I ndaluar në Shengen” ku në fokus kanë qenë ekspulset që vendosin vendet e zonës Shengen ndaj shtetasve shqiptarë.

Shtatë vitet e fundit 47 mijë shtetas shqiptarë janë dëbuar, deportuar dhe u është vendosur ndalim hyrjeje në vendet e Europës për një periudhë të caktuar kohore. Bashkë me atë që njihet si ekspulsi apo “largimi me forcë i të huajit’ për një afat nga dy vjet, pesë dhjetë ose i përhershëm në të njëjtën kohë, në Shqipëri ka lindur një fenomen i ri. Ofrimi i shërbimeve avokatore për ta shuar dëbimin administrativ dhe gjyqësor.

Por, ndërkohë në gjykata dhe në prokurori deklarohet një fenomen i ri, sic është ai i ndërrimit të mbiemrit nga njëri prej partnerët që ka ekspuls. Qëllimi është të shmanget gjurmimi në kufi me shpresën se me një mbiemër që merret nga një martesë fiktive, realizohet udhëtimi përmes pikave kufitare. Jemi këtu për të folur me gjyqtarin Ervin Pollozhani për këtë problematikë, dhe disa aspekte të tjera të ekspulsit që e kanë mijëra shtetas shqiptarë.

Anila Hoxha: Cila është ajo zgjidhja tangente që kanë gjetur shtetasit shqiptarë, në mënyrë që të mos pikasen dhe të mos zbulohen në pikat e kalimit kufitar?

Ervin Pollozhani: Përgjithësisht, në gjykatat shqiptare konstatohet që shumë shtetas apo edhe shtetase, po themi, të cilat kanë një le të themi një masë të tillë dënimi plotësuese nga autoritetet e huaja, në realitetin shqiptar ka ndodhur që janë lidhur edhe martesa me shtetase, qoftë shqiptare me shtetësi të huaja, por qoftë edhe të huaja, në territorin ku ata ndodhen dhe për shkak se kanë kryer një vepër penale apo kanë një masë administrative janë kthyer në territorin shqiptar si të deportuar edhe në këto kushte kanë filluar procedurën ligjore për të zgjidhur martesën respektive, për shkak sepse kanë dashur të ndryshojnë mbiemrin që kanë patur, kur e kanë marrë në shtetin përkatës apo edhe në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Anila Hoxha: Pra, kanë marrë kanë bërë një martesë fiktive për të fituar mbiemrin e partnerit me të cilin lidhet martesa, vetëm e vetëm që të marrin një identitet “quasi” të ndryshëm që të mos gjurmohen nga policia kufitare në Shqipëri?

Ervin Pollozhani: Ekzakt, por për shkak të sofistikimit të sistemit SIS, në pikat kufitare nuk mjafton vetëm e dhëna e gjeneraliteteve, por është edhe numri personal i individit, i cili në momentin që klikohet nga oficeri i policisë jep edhe historikun e të dhënave të subjektit. Dhe në këto kushte pavarësisht kësaj tentative për këto martesa, po themi fiktive, të cilat bëhen për qëllim, për të ndryshuar gjeneralitetet me idenë që të shmanget kjo ndalesë në kufi. Një gjë e tillë, për vite e më shumë, për shkak le të themi, të kësaj “lufte midis personave” që tentojnë të shkelin afatin për t’u rikthyer prapë në ato vende dhe historiku, tregon që ky shtetas ka patur këtë mbiemrin për të cilën ka një masë deportimi si të tillë. Krahas kësaj pjesës së procedurës gjyqësore për këto martesa që bëhen, më tej gjykata pastaj për shkak të mungesës së bashkëjetesës e ka konsideruar edhe fiktive dhe nuk ka operuar me zgjidhje martesë, por i ka quajtur të pavlefshme këto martesa.

Anila Hoxha: Pra, ju keni vërejtur diçka të tillë gjatë shqyrtimeve gjyqësore?

Ervin Pollozhani: Po ekzakt, gjatë shqyrtimeve gjyqësore që shtetasit kanë deklaruar vetë që “unë kam lidhur martesë me një shtetase shqiptare dhe kam marrë mbiemrin e saj për shkak të dokumentave dhe për shkak të shmangies, sepse në rast të kundërt nëse do isha me mbiemrin tim mund të kisha rrezikun që të deportohesha” dhe gjykata shqiptare e ka konstatuar këtë martesë fiktive, nul, për shkak se nuk ka patur qëllim e bashkëjetesës dhe qëllimin që është. Edhe ajo që shtetasit që dëbohen apo që largohen nga një shtet tjetër këtë masë dënimi t’a vuajnë në mënyrë ligjore dhe përfundimtare dhe jo të përdoren teknika dhe taktika për t’u shmangur dhe për t’u rikthyer përsëri për t’u bërë kontigjent i një mase tjetër dëbimi nga shteti përkatës ku mund të kalojë dënimin edhe në burg pastaj, nëse ti e shkel të njëjtën masë.

Anila Hoxha: Pra, ligjvënësi ka qenë në të njëjtën frekuencë me çfarë po ndodhte në atë kohë, me dëbimet masive edhe për shkak të azilkërkimit dhe në këtë kontekst ka mbetur si zgjidhje e këtyre shtetasve pikërisht martesa fiktive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA