Pas sulmit me thikë në Solingen, qeveria gjermane ka vendosur të ashpërsojë masat ndaj azilkërkuesve të refuzuar dhe refugjatëve që kanë kryer vepra penale.
Paketa e re e sigurisë përbëhet nga disa shtresa: Ligje më të rrepta për armët, reduktim i ndihmës sociale për refugjatët që u refuzohet kërkesa për azil, dëbim më i shpejtë i azilkërkuesve të refuzuar dhe atyre që kanë kryer vepra penale.
Po ashtu do të zgjerohen kompetencat hetimore për autoritetet e sigurisë dhe do të ketë më shumë projekte parandaluese kundër islamizmit. Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, deklaroi se do të ndalohen thikat në festivale, aktivitete sporte apo ngjarje të ngjashme publike.
Në të ardhmen policia do të ketë gjithashtu të drejtë të ndalojë mbajtjen e thikave në stacionet e trenave, të cilat shpesh janë pika të nxehta veprash kriminale.
Po ashtu parashikohet edhe një ndalim i përgjithshëm i thikave në trenat e distancave të gjata. Gjithashtu do të ashpërsohet dhënia e licencave për armë zjarri.
“Kushdo që sulmon ose kërcënon me thikë njerëzit në Gjermani do të dëbohet shpejt nga vendi,” deklaroi ministri i Drejtësisë Marco Buschmann.
Ashpërsimi i masave të dëbimit do të vlejë edhe për të rinjtë. Edhe refugjatët që shkojnë për vizitë më vendet e tyre të origjinës do të dëbohen, se sipas ministrit Buschmann: “Ai që shkon për pushime në vendlindje, ku pretendon se nuk mund te jetojë në siguri, vepron në mënyrë kontradiktore dhe do ta humbasë statusin e strehimit”.
Ekzekutivi gjerman planifikon po ashtu të lejojë përdorimin e programeve për njohjen e fytyrave nga autoritetet e sigurisë për të kërkuar dhe identifikuar sa më të shpejtë në internet dhe rrjetet sociale persona të dyshuar apo të shpallur në kërkim.
Top Channel