Emmanuel Macron qëndron sot në Serbi në një vizitë zyrtare, e cila vjen më pak se pesë 5 muaj pasi shefi i Elizesë priti në Paris homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiç.
Udhëtimi i Macronit shihet si mundësi për të dy krerët e shteteve që të diskutojnë për çështje ekonomike, mbrojtjen, energjinë dhe inteligjencën artificiale. Ndërkohë, “Politika”, një gazetë e vjetër serbe që sot është pjesërisht në pronësi të qeverisë, botoi një shkrim të tij ku kreu i shtetit francez bëri thirrje për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën dhe zotohet të ndërhyrje për themelimin e Asociacioni të komunave me shumicë serbe.
“Rruga drejt normalizimit ruan thelbin, mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë në përputhje me ligjin, por pa hequr dorë nga identiteti i tyre”, shkruan Macron, që përmend vitin 2019, kur siç thotë kishte kërkuar kompromis “për çështjen e Kosovës”.
“Në 2019-tën, kur fola për çështjen e Kosovës, fola për guximin e nevojshëm për të arritur një kompromis. Të bindur se ky guxim ekziston në Serbi, ne, së bashku me Gjermaninë dhe partnerët tanë europianë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, donim ta ndihmonim rajonin t’i shmangte lëvizjet e njëanshme, deklaratat e pamatura dhe përshkallëzimin e tensioneve, viktimat kryesore të të cilave janë njerëzit që jetojnë në terren, veçanërisht minoriteti serb në Kosovë”, thotë presidenti francez.
Macron nënvizon se mbetet i angazhuar personalisht për themelimin e Asociacionit. “Kjo rrugë është e asfaltuar: çdo gjë që e ngadalëson përparimin në atë rrugë është në kurriz të njerëzve që jetojnë atje”, theksohet në shkrimin e tij, ku bashkëpunimi që Franca po ndërton me Serbinë, përshkruhet si “partneritet real strategjik” .
Top Channel