Gjermania thirrje për kompromis! I dërguari i Berlinit për Ballkanin takon Osmanin e Kurtin: Kosova e Serbia të bëjnë lëshime

29/08/2024 19:56

E enjtja në Kosovë u përmbyll me vizita të zyrtarëve të lartë të aleatëve që shprehën shqetësimet për çështje të ndryshme.

Në Prishtinë, kryeministrin Albin Kurtin dhe Presidenten, Vjosa Osmanin i takoi Ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s për operacione Thomas Goffus.

Pas takimit, nga Presidenca bënë të ditur se është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe për hapjen e Urës së Ibrit.

“Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin për hapjen e urës, porse ka potencuar rëndësinë e mirëmbajtjes së komunikimit, koordinimit dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, për hartimin e një plani të përbashkët të zbatimit për hapjen e urës”, thuhet në njoftim.

Më shumë takime pati emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

I dërguari gjerman takoi kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, i cili njoftoi se diskutua “për zhvillimet e fundit politike në rajon, me theks të veçantë ato në Kosovë”.

Ndërkohë që kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit me Sarrazin tha se kanë diskutuar për procesin e Berlinit.

Në përmbyllje të vizitës së tij, emisari special i Gjermanisë, Manuel Sarrazin tha se ka ardhur për të përgatitur rajonin për procesin e Berlinit, për çka tha se duhet të arrihet kompromis politik.

“Për këtë na duhet kompromis dhe nganjëherë edhe gatishmëri për lëshime mbi pajtimin rreth marrëveshjeve politike që nuk janë të lehta për Serbinë dhe as për Kosovën. Po largohem i brengosur se nuk jemi atje akoma, nëse nuk kemi rezultate më të mira para samitit me 14 tetor brengosem se nuk do ta arrijmë synimin tonë për të dhënë një shenjë të fortë se bashkëpunimi rajonal, tregu i përbashkët dhe Procesi i Berlinit është formati që në këtë rajon mund të sjellë rezultate konkrete për qytetarët në terren”, u shpreh ai.

Sarrazin njoftoi se në kuadër të përgatitjeve për procesin e Berlinit që do të mbahet në tetor do të vizitojë edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA