SHBA e OKB kërkojnë bisedime për kontrollin e bankës qendrore të Libisë (fotot)

28/08/2024 16:35

Institucionet e mbështetura nga OKB në perëndim të Libisë nuk tërhiqen nga ankesat pas shkarkimit të guvernatorit të bankës qendrore të vendit.

E përditshmja britanike The Guardian shkruan se kriza ekonomike e përshkallëzuar nga rivaliteti për kontrollin e bankës qendrore të vendit, mund të shërohet me anë të diplomacisë, teksa ambasada amerikane atje mbështet përpjekjet e OKB për një takim emergjence të grupeve të përfshira.

Ambasadori amerikan Richard Norland, kërkonte një takim me palët duke thënë se përplasjet për administrimin e bankës që komandon paranë e vendit, “dëmton besimin në stabilitetin ekonomik e financiar në sytë e qytetarëve dhe të komuniteti ndërkombëtar, si dhe shton shanset e “konfrontimeve të dëmshme”.

Ambasada tha në një deklaratë: “Raportimet për arrestime arbitrare dhe intimidime të punonjësve të bankës qendrore janë shqetësuese, përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Administrata pro perëndimore libiane e drejtuar nga Abdul Hamid Dbeibah, ka miratuar shkarkimin e guvernatorit të vjetër të bankës pas 20 vjetëve, për të vendosur një administratë të re.

Banka dominon ekonominë e vendit dhe kontrollon dy bankat tregtare me $27 miliardë rezerva, kryesisht nga nafta.

Sadiq al-Kabir, guvernatori i shkarkuar, kishte kritikuar së fundmi shpenzimet e Dbeibah, dhe duket se flet në favor të forcave rebele që komandojnë në lindje.

Abdel Fattah Ghaffar, kryetari i ri i përkohshëm i emëruar nga Tripoli, është zotuar të zbusë krizën e parasë dhe të japë llogari te bordi guvernatorëve, shkruan The Guardian.

Ai i ka bërë thirrje Kabir të dorëzojë kodet që mundësojnë kryerjen e pagesave, duke sinjalizuar se çështja e operacioneve të bankës nuk është zgjidhur ende me administratën e larguar.

Kabir ka drejtuar bankën prej vitit 2011, kur lideri Muammar Gaddafi u përmbys dhe u vra me mbështejen e Perëndimit, çka solli dhe ndarjen e vendit në perëndimin pro-perendimor, e lindjen e drejtuar nga rebelët.

Administrata lindore tha dje se kundërshton shkarkimin e Kabir prandaj “do të pezullojë prodhimin e naftës deri në riemërimin e tij. Lindja kontrollon pjesën më të madhe të puseve të naftës.

Vendet perëndimore dhe OKB kanë shprehur shqetësime për mungesën e llogaridhënies nga banka qendrore libiane, duke thënë se kjo ngadalëson procesin e bashkimit të vendit. Ambasadori britanik Martin Longden, denonconte më herët “vendimet unilaterale që dëmtojnë vendin” dhe premtonte mbështetje për zgjidhjen ligjore për të mos ekspozuar Libinë ndaj rrezikut financiar”.

FOTO GALERI
1/2
Banka dominon ekonominë e vendit dhe kontrollon dy bankat tregtare me $27 miliardë rezerva, kryesisht nga nafta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA