Presioni i CIA-s ndaj Kurtit, eksperti i çështjeve të Ballkanit: Mesazhi për të mos ndërmarrë veprime të njëanshme që destabilizojnë rajonin

28/08/2024 15:27

Eksperti i njohur i çështjeve të Ballkani, Edward P. Joseph, nga Universiteti Johns Hopkins në SHBA, bëri për REL një analizë të ndikimit që mund të ketë në Ballkanin Perëndimor rezultati i zgjedhjeve.

Joseph mendon se rikthimi i mundshëm i Donald Trumpit në presidencë, mund të çojë në ndryshime drastike në politikën e jashtme të SHBA-së.

Në atë rast, ai nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshjeje me Rusinë për Ukrainën, që, siç thotë, do të ndikonte drejtpërdrejt në Ballkan. Për fitoren e mundshme të Kamala Harrisit nuk është i sigurt se çfarë do të sillte, por, sipas tij, do të ishte e rëndësishme që Harris të zgjidhte “paradoksin ballkanik”.

“Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Perëndimi është më i fuqishëm dhe më i bashkuar dhe Rusia është më e dobët dhe më e izoluar, ndërsa situata në Ballkan është përkeqësuar. Ky është paradoksi ballkanik”, shprehet ai.

Mes të tjerash, Joseph preku dhe çështjen e vizitës së shumë-diskutuar të shefit të CIA-s, William Burns, javën që shkoi në disa vende të Ballkanit.

I pyetur se për çfarë mendon se mund të ketë diskutuar Burns në Kosovë, eksperti përgjigjet: “Shikojeni fotografinë që është publikuar. Keni parë Burnsin të ulur pranë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Në të djathtë të Burnsit ka qenë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke mbajtur shënime.

Unë mendoj se ajo që Burns i ka thënë Kurtit, është mesazhi që ka dhënë edhe ambasadori Hovenier për të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe për të mos destabilizuar rajonin. Si drejtor i CIA-s, Burns mund të ketë kërkuar edhe rritjen e ndërgjegjësimit për aktivitetet dhe interesimin e Rusisë në rajon”, shprehet eksperti i njohur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA