Një anije e dyshuar nga autoritetet në Namibi se mbante eksplozivë për ushtrinë e Izraelit me qëllim të përdorej në konfliktin e rëndë në Gaza, është bllokuar nga autoritetet e vendit afrikano-jugor.
Ministrja vendase e drejtësisë Yvonne Dausab tha se anija MV Kathrin kërkoi leje për të ndaluar në portin Walvis Bay, por pas raportimeve se mbante eksplozivë për ushtrinë e Izraelit, mjeti u refuzua në përputhje me qëndrimin e Namibisë për të “mos mbështetur ose mos marrë pjesë në luftën e Izraelit në Gaza, si dhe në lidhje me obligimin për të mos mbështetur krimet e luftës dhe pushtimin e paligjshëm të Palestinës.”
Ministrja shtoi se nuk ishte e qartë se nga ishte nisur anija, por rrjeti BBC pretendonte se ishte ngarkuar në Vietnam dhe do të bënte një pushim në Namibi, para se të lundronte në veri drejt detit Mesdhe nga ngushtica e Gjibraltarit.
Grupe të drejtash kishin paralajmëruar më parë se Namibia do të përfshihej në shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut nëse lejonte ankorimin e anijes në postet e saj.
Në dhjetor Namibia dhe fqinja e saj Afrika e Jugut nisën padinë e gjenocidit kundër Izraelit në lidhje me krimet në Gaza, akuza te cilat refuzohen nga Izraeli.
Walvis Bay është porti më i madh komercial në Namibi, i cili mund të presë rreth 900 anije dhe trajton 8 milionë ton ngarkesa në vit, sipas Autoritetit Portual Namibian.
Rrjeti vendas New Era citonte policinë të konfirmonte eksplozivët në bordin e anijes, me destinacion Izraelin, prandaj ishte ndaluar kalimi në ujërat e vendit.
Top Channel