Më 28 gusht të këtij viti, shënohet 100-vjetori i lindjes së një prej atdhetarëve e shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë, At Zef Pllumi.
Si pasardhës i Gjergj Fishtës dhe figura e fundit e françeskanëve, ai është një prej personaliteteve më të shquara të kulturës dhe letërsisë shqiptare.
Studiuesi i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Sabri Hamiti e sheh si dëshmitarin më të besueshëm të një historie të errët të shqiptarëve.
“Me dashuri kundër dhunës edhe me liri kundër tiranisë. Po e thjeshtoj por këto janë pikat e forta që e përcaktojnë mortalitetin e veprës së tij, thellësinë e tij, lidhjen me pararendësit dhe ringjallen e pararendësve sepse ky është i fundit dhe unë po e rezymoj, ky është françeskan i madh, françeskani i madh që dëshmon për pararendësit dhe po e quaj, “Françeskani i fundit”, s’besoj se do të jetë i fundit por, në kuptimin e krahasimeve. E shoh shembullin në një kohë tjetër të Zef Pllumit të nxënësit të Gjergj Fishtës”, thotë Hamiti.
Trashëgimia letrare e At Zef Pllumit vlerësohet se kalon kufijtë e letërsisë shqipe edhe për nga stili i shkrimit. Vepra “Rrno vetëm për me tregue”, sipas studiuesit Hamiti është e këtij niveli.
“Rrno vetëm për me tregue” hyn ndër veprat më të mira që janë shkruar në këtë tematikë që do të thotë tematike e terrorit komunist ndaj intelektualëve e kampeve të punës që janë quajtur, që janë kampe të mundimit edhe internimit. Këto janë terme që funksionojnë kështu por në të vërtetë, ndeshja dhe sprovat e intelektualëve të lartë karshi tiranisë së Enver Hoxhës”, shprehet ai.
At Zef Pllumi është veprimtar i madh e i pathyeshëm përkundër përndjekjes e burgosjes në kohën e komunizmit. Personalitet që pas lirimit, arriti të ringjallë pararendësit e tij dhe të lë kontribut të pashoq në kulturën e letërsinë shqipe.
Nderimi shtetëror i figurës krijuese të Zef Pllumit, sipas profesorit Hamiti është i nevojshëm.
“A duhet të nderohet me ceremoni shtetërore është lami që nuk e kuptoj fort sepse ato janë interesa të natyrave politike nuk janë kulturore dhe letrare. Edhe ndoshta do të ndodhin, nuk e di. Por a duhet të nderohet personaliteti krijues, atdhetarit Zef Pllumi në lamitë ku ai ka krijuar vepra monumentale, patjetër. Një kulturë, që s është kulturë, që nuk është në gjendje t’i mbajë gjallë në kujtesë, në interpretim dhe lexim, shkrimtarët e vet të mëdhenj”, shton Hamiti.
Sabri Hamiti bën të ditur se për nder të 100 vjetorit të lindjes së një prej veprimtarëve më të pashoq të kulturës do të bëhet përmes konferencave shkencore.
At Zef Pllumi ishte i burgosur 26 vjet nga sistemi komunist në Shqipëri. Pas daljes arriti të rikthejë në botim revistën Ylli i Dritës dhe shkruaj veprat e tjera si “Saga e Fëminijsë”, e “Françeskanët e Mëdhaj”, krahas shumë veprave të tjera monumentale.
Top Channel