Progres Raporti pozitiv i BE për Shqipërinë, Spiropali: Rrugëtim i përbashkët drejt një jete më të mirë për çdo shqiptar Ndërkohë që Shqipëria është futur tashmë, në një vit elektoral retorika dhe veprimet politike sidomos të opozitës duhet të shfaqeshin luftarake por për momentin është duke ndodhur e kundërta.
Edhe njëherë tjetër nga Këshilli Legjislacionit ku është diskutuar mandati socialistes Olta Xhaxhcka u dëshmua se shumica socialiste dhe opozita janë të prirur të dakortësohen siç edhe ndodhi me vendimet e marra nga parlamenti sesionin e shkuar.
Që në nisje të Këshillit të Legjislacionit drejtuar për herë të parë sipas rotacionit nga demokratja Dhurata Çupi socialistët dhanë sinjalet e para për ti dhënë dritë jeshile çuarjes përsëri në kuvend të mandatit të koleges së tyre.
Në tilla kushte kur kjo mbledhje mund të zgjaste vetëm pak minuta, Gazment Bardhi i cili ka udhëhequr betejën e heqjes së mandatit të ish ministres së punëve të jashtme për mos të bërë spektatorin dhe thjesht aprovuesin e vendimit të socialistëve, tentoi të krijojë një klimë debati.
Këshilli Legjislacionit vendosi që saga e mandatit të Olta Xhackës të vijojë në seancën e 12 Shtatorit në parlament.
Ndërkohë ish kryetari grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi disa javë më parë u shpreh se socialistët po shikojnë mundësinë e çuarjes së vendimit të kushtetues për interpretim Komisionit të Venecias.
Në seancën e 12 Shtatorit pritet për tu parë nëse socialistët do të avancojnë me idenë e marrjes opinion nga Venecia.
Pjesë nga debati:
Çupi: Kuvendi ka detyrimin që të votojë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatën Kushtetuese, si mënyra e vetme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra e vetme e zgjidhjes së këtij konflikti kompetencash. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.
Çupi: Kuvendi nuk ka hapësirë për interpretimin e normave kushtetuese, pasi nuk është në pozitat e interpretuesit të parë dhe origjinal të tyre, për sa kohë që për çështjen konkrete është shprehur Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimmarrjen e saj ka konstatuar se mocioni i jo më pak se 1/10-ës së deputetëve plotëson kriteret juridiko-formale për vënien e saj në lëvizje nga Kuvendi, ndaj ky i fundit nuk ka pasur hapësirë për të vlerësuar sërish ato.
Bushka: Për të ecur me ekzekutimin e Gjykatës Kushtetuese kryetares i propozohet shkurtimisht që ky projekt vendim të përfshihet në seancën plenare më të afërt.
Kryetari i Grupit të PD-së Gazment Bardhi tha se mazhoranca ka sfiduar Gjykatën Kushtetuese dhe shtetin ligjor.
Bardhi: Edi Rama nëpërmjet Olta Xhaçkës, po mbron korrupsionin dhe po i jep mesazh drejtësisë se nuk mund të marrë vendime pa lejen e tij, ndryshe ato nuk zbatohen.
Bardhi: Refuzim i Kuvendit për zbatimin e vendimit të Gjykatës ka çuar në krijimin e një krize kushtetuese që cenon themelet e shtetit demokratik, humb besimin e publikut te shteti dhe vendos në diskutim edhe vetë rolin e Gjykatës Kushtetuese.
Bardhi: Mbrojtja e Olta Xhaçkës dhe sfidimi i drejtësisë, është mesazhi më negativ që mund të jepët për një vend që pretendon të jetë demokratik, vend kandidat për në BE dhe vend anëtar i NATO-s.
Bardhi: Gjykata Kushtetuese e detyron Kuvendi e Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të Olta Xhaçka dhe për pasojë Kuvendi ka detyrimin që të votojë menjëherë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatë.
Bardhi: Pretendimi i mazhirancës që deputetët janë të lirë të votojnë si të duan është antikushtetuese. Deputetët nuk janë mbi Kushtetutën dhe ligjin.
Bardhi: Keni kryer krim. Moszbatimi i një vendimi të GJK është vepër penale.
Top Channel