Darmend Keli, i cili vrau me thikë Amarildo Hoxhallarin se i ngacmoi të fejuarën u la në burg së bashku me shokun e viktimës.
Darmen Keli, 25-vjeçari që vrau me thikë Amarildo Hoxhallarin mbrëmjen e se shtunës në zonën e Astirit polici tha se sherri ndodhi pasi Amarildo së bashku me shokun e tij i ngacmoi të dashurën.
“Pashë nga ballkoni i banesës 2 persona me motor që po ngacmonin me fjalë të fejuarën. Pas kësaj i thirra për të ndaluar por më ofenduan dhe kur zbrita u konfliktuam fizikisht. Në sherr e sipër kam qëlluar disa herë me thikë Hoxhallarin, por nuk kisha për qëllim ta vrisja”, tha ai.
Sherri banal mes dy të rinjve përfundoi në një ngjarje tragjike.
34-vjeçari Amarildo Hoxhallari u përplas fillimisht me fjalë me 25-vjeçarin Darmend Keli, i cili në gjaknxehtësi e sipër e goditi 4 herë me një thikë në gjoks dhe në këmbë. 34-vjeçari u dërgua menjëherë në spitalin e Traumës, por rreth 1 orë pas ngjarjes ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja” arritën të arrestonin autorin vetëm pak minuta pas kryerjes së krimit. Ndërkohë është arrestuar dhe shoku i viktimës Amarildo Hoxhallari, ku dyshohet se ai ka qenë në gjendje të dehur gjatë kohës që drejtonte motorin dhe që të dy se bashku kanë intimiduar me fjalë të dashurën e Darmen Kelit.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, që shkaktoi tronditje tek qytetarët e shumtë që ndodheshin aty pranë, pasi konflikti ndodhi në një zonë mjaft të populluar.
Ky është krimi i dytë i pasionit brenda pak ditësh në Tiranë, që ka si shkak sherrin për partneret. Pak ditë më parë, efektivi i Policisë Erjon Goxhara plagosi me armën e shërbimit në zonën e ‘Komunës së Parisit’ kolegun e bashkëshortes së tij, pasi dyshonte për lidhje intime mes tyre.
Top Channel