Reagime të shumta ka shkaktuar tek qarqet politike greke një artikull i portalit europian ”Politico” që titullohet “Greqia, vendi që i lejon njerëzit t’i shpëtojnë drejtësisë”.
Mbulimet e disa skandaleve, hetimet e dështuara dhe ndjenja e përgjithshme e mosndëshkimit kanë bërë kambanat e alarmit të dëgjohen më tepër thotë “Politico” në artikullin e saj për Greqinë duke shtuar se në vendin ku ka lindur Demokracia, ka një ndjenjë të kalbjes së saj.
Konkretisht portali u referohet vendimeve apo procesit të drejtësisë për tre raste të ngjarjeve madhore që tronditën vendin : tragjedia e përplasjes së trenave në Tempi me 57 të vdekur, mbytja e anijes në Pylos ku nga gati 750 emigrantë u gjetën vetëm trupat e 82 të mbyturve dhe rasti i përgjimeve të politikanëve e gazetarëve , i ashtuquajturi “Predatorgate”.
“Greqia ka përjetuar një sërë skandalesh që, edhe pse të gjitha të ndryshme, japin ndjesinë se sistemi i drejtësisë është në kolaps dhe pushtetarët nuk duan të rregullojnë asgjë. Ose edhe më keq, ata janë fajtorë”, thuhet në artikull.
I pyetur në konferencën e fundit për shtyp, zëdhënësi i qeverisë ka theksuar : Ajo që shkruhet është 180 gradë e kundërt me realitetin.
Ky titull, ky reportazh ka për qëllim diskreditimin e Greqisë jashtë vendit dhe kjo duket qartë nga raporti zyrtar për Sundimin e Ligjit, kjo duket qartë nga të dhënat zyrtare.
Ndarja e pushteteve është një nga kushtet bazë për të pasur një demokraci solide. Pra, Greqia ka një Gjyqësor të pavarur që punon, merr vendimet e tij në të gjitha rastet.
Avokati i Popullit Andreas Pottakis i intervistuar nga “Politico” thotë se “Ka një ndjenjë të një përpjekjeje sistematike dhe të bashkërenduar për të minimizuar disa incidente dhe kjo krijon “dyshime për një tentativë mbulimi të skandaleve dhe neglizhencë që “duhet të shqetësojë lidershipin politik”.
Gjithashtu edhe partitë e opozitës, grupet e krijuara nga familjet e viktimave dhe hetuesit e pavarur bashkë me disa portale që ripublikojnë artikullin në fjalë , flasin për një mbulim të ngjarjeve, për fshehje të fakteve , dëshmitarë të heshtur, dokumente ligjore të shpërfillura dhe viktima të mënjanuara. Hetimet parlamentare nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë turbulluar ujërat, thekson “Politico”.
Sipas një sondazhi të kryer për llogari të Institutit Eteron me rastin e 50-vjetorit të rënies së juntës dhe vendosjes së demokracisë, vetëm 29% e qytetarëve i besojnë sistemit të drejtësisë në vend.
Dobësimi i besimit të qytetarëve duket edhe tek sistemi politik sipas sondazhit të fundit të kompanisë Intervieë ku partia në fuqi Demokracia e Re ka një rënie nga 28% në 22% brenda 2 muajve ,ndërsa edhe partia më e madhe opozitare Syriza tashmë renditet jo e dyta, por e pesta për shkak të konflikteve brenda gjirit të saj.
Top Channel