Një 43-vjeçar, i dënuar për prodhim të lëndëve narkotike, ndërron jetë këtë të hënë në burgun e Rrogozhinës, ku po vuante dënimin.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Erlad Helshani u gjet pa ndjenja nga bashkëvuajtësit e tij, ndërsa po lahej në dush. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekut të institucionit, i cili e shoqëroi drejt spitalit, Helshani ndërroi jetë në orën 09:15 në Spitalin e Rrogozhinës.
Helshani, që ishte i dënuar me 4 vite e 8 muaj heqje lirie për prodhim të lëndëve narkotike, trajtohej për hipertension dhe nivele të larta të yndyrave në gjak gjatë qëndrimit në IEVP Rrogozhinë, njofton Drejtoria e Burgjeve.
Për ngjarjen kanë nisur hetimet dhe janë njoftuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje, Komisariati i Policisë Rrogozhinë, Prokuroria, dhe familjarët e të ndjerit.
Këtë të hënë, humbi jetën një tjetër i dënuar me heqje lirie. Fotaq Zaharia, i njohur si “I Forti i Vlorës ndërroi jetë në orën 01:10 në Reanimacionin e QSUT. Zaharia ishte shtruar në spital me isuficencë respiratore dhe po trajtohej që prej datës 16 gusht atje. I dënuari po vuante një dënim prej 25 vitesh për vrasje dhe ishte shtruar fillimisht në Spitalin e Burgjeve më 22 korrik 2024.
Top Channel