Shpërthimi në sinagogë ku mbeti i plagosur një polic, arrestohet i dyshuari në Francë

25/08/2024 14:53

Policia franceze e ka arrestuar një të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme në një sinagogë në qytezën jugperëndimore La Grande Motte, ku u lëndua një oficer i policisë.

Dy vetura të parkuara në parkingun e sinagogës Beth Yaacov në La Grande Motte, afër Montpellierit, u dogjën të shtunën pas orës 20:00. Zjarrfikësit zbuluan zjarre shtesë në dy hyrjet e sinagogës.

Një oficer i policisë i cili shkoi në vendin e ngjarjes u lëndua kur shpërtheu një bombol gazi e vendosur pranë veturave që po digjeshin. Pesë njerëz, përfshirë rabinin, ndodheshin në sinagogë në kohën e sulmit, por ata shpëtuan pa lëndime.

“I dyshuari për zjarrvënie të qëllimshme në sinagogë është arrestuar”, tha Gerald Darmanin në X.

Prokurorët francezë thanë se i dyshuari u arrestua në qytetin jugor Nimes, pak para mesnatës të shtunën.

“Ai shtiu ndaj njësitit policor që intervenoi. Policia iu përgjigj zjarrit dhe e plagosi të dyshuarin në fytyrë”, tha të dielën Zyra Kombëtare Kundër Terrorizmit.

Dy persona të tjerë të lidhur me të dyshuarin janë futur në paraburgim gjithashtu, tha ajo. Prokurorët janë duke e hetuar rastin si tentim vrasje të lidhur me një grup terrorist dhe i dëmtim i pronës me mjete të rrezikshme, si dhe si një krim të planifikuar nga një grup terrorist me qëllim pë të shkaktuar dëm, thuhet në komunikatë.

Pas këtij incidenti, Darmanin i urdhëroi forcat e sigurisë t’i mbrojnë vende fetare hebraike pas “kësaj vepre të qartë kriminale”.

Prokurorët thanë se një burrë i dyshuar u kap nga kamerat e vëzhgimit duke ikur nga vendi i ngjarjes me një flamur palestinez në dorë dhe me një armë. Ata folën në kushte anonimiteti në përputhje me rregulloret e procesit të hetimit.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se sulmi në sinagogë ishte një vepër terroriste. “Lufta kundër antisemitizmit është betejë e vazhdueshme”, shkroi Macron në X.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA