Kjo javë solli në rajon Drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane, William Burns, për takime me liderë politikë.

Fillimisht Burns u ndal në Sarajevë, për të vazhduar pastaj në Beograd dhe vizitën e tij e përfundoi në Prishtinë.

Sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, kjo vizitë ka karakter gjeopolitik dhe është mesazh i qartë për Rusinë që Ballkani  Perëndimor është hapësirë e interesit strategjik amerikan.

“Natyrisht që jam i bindur që ka të bëjë me mesazhe shumë të qarta, tërheqje e vërejtjes dhe paralajmërime për aktivitetet secesioniste të Dodikut në Bosnjë e Hercegovinë, për burimin e politikave destabilizuese të Ballkanit në Beograd dhe për adresimin e shqetësimeve të kohëve të fundit sa i përket koordinimit me Qeverinë e Kosovës”, shprehet Arben Fetoshi.

Vizita në këto tre vende, sipas njohësve bëhet për shkak të rritjes së aktivitetit të luftës hibride ruse në Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti, dy prej pikave problematike, Republika Serbe në Bosnje dhe Veriu i Kosovës. Andaj, takimi me liderët politik u bë për te dhënë mesazhin përfundimtar.

“Ky nivel i vizitës në Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë nënkupton mesazhin përfundimtar paralajmërues dhe qortues sa i përket politikave që duhet të pasojnë e jam i bindur që pas vizitës së Burns do të kemi një ndryshim radikal edhe të diskursit politik në këto tri vende ose vizita e tij do të shënojë një pikë kthese”, shton Fetoshi.

E këto mesazhe që i përcolli shefi i inteligjencës amerikane në takimet me liderët politik, pritet të përkthehen shumë shpejt në veprime.

“Mesazhet do t’i shohim shumë shpejt në zbatim në të ardhmen dhe që kanë të bëjnë kryesisht me sigurinë dhe bashkëpunimin”, thotë Visar Xani.

E për të shmangur çdo konflikt të mundshëm, kërkohet që Kosova të mirëpres mesazhet e drejtorit të CIA.

“Konsideroj se Kosova duhet t’i kuptojë qartë dhe saktë mesazhet në mënyrë që të mos ketë keqkuptim dhe moskuptimi i këtyre mesazheve të qarta sjellë konflikt, destabilizim dhe Rusia mund të shtrijë ndikimin në Serbi dhe këtë ta përcjellë edhe në Kosovë dhe në të njëjtën mënyrë të bëhet faktor në Ballkan”, përfundon Xani.

Drejtori i CIA, William Burns në Kosovë qëndroi për dy ditë. Të enjten takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe të premten e përmbylli vizitën në takim me Kryeministrin, Albin Kurti. Ky i fundit, vizitën e Burns e cilësoi si historike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA