Pavel Durov, themeluesi dhe administratori i “Telegram”, u arrestua në Francë të shtunën rreth orës 20:00 sapo zbriti nga avioni i tij privat në aeroportin Lë Burget, në periferi të Parisit.
Durov, 39 vjeç, një shtetas francezo-rus, shoqërohej nga truproja e tij dhe një grua. Arrestimi u krye nga xhandarët e Transportit Ajror. I përfshirë në dosjen e personave në kërkim, Durov vinte nga Azerbajxhani. Ndaj tij është lëshuar një urdhër kërkimi nga Departamenti Kombëtar i Hetimit Kriminal të Francës, bazuar në një hetim paraprak.
Sipas mediave franceze, Durov u vendos në paraburgim në bazë të një mandati nga drejtësia franceze, e cila beson se mungesa e moderimit, bashkëpunimi me organet e zbatimit të ligjit dhe mjetet e ofruara nga kompania e mesazheve të koduara Telegram, e bën atë bashkëpunëtor në trafik droge, krime ndaj të miturve dhe mashtrim. Mandati ishte i vlefshëm vetëm për territorin francez.
Hetuesit e informuan atë dhe e vendosën në paraburgim nga policia. Ai pritet që në orët në vijim të dalë para gjykatësit sot për një mori krimesh: “Terrorizëm, drogë, bashkëpunim, mashtrim, pastrim parash, marrja e mallit të vjedhur, përmbajtje kriminale për të mitur”.
Top Channel