Njësia speciale e policisë SEK ka arrestuar një të dyshuar të mundshëm për sulmin e mbrëmshëm me thikë në Solingen, i cili rezultoi me vdekjen e tre personave dhe plagosjen e tetë të tjerëve.
Sipas gazetës BILD, SEK arrestoi një burrë në orët e hershme të mëngjesit në banesën e prindërve të tij, pas një informacioni të dhënë nga një dëshmitar që e njohu të dyshuarin nga një krim i mëparshëm. Megjithatë, ende nuk dihet nëse ky është me të vërtetë autori i sulmit të djeshëm.
Në një postim në platformën X, kancelari Olaf Solz tha se kishte kontaktuar me kryetarin e bashkisë së qytetit, Tim Kurtzbach, dhe u shpreh se ishte “thellësisht i tronditur” nga sulmi.
Më parë pikëllimin e kishin shprehur liderët e partive të tjera në koalicionin qeveritar, Ministri i Ekonomisë Robert Hambeck (Të Gjelbërit) dhe Ministri i Financave Christian Lindner (FDP). Policia megjithatë nuk ka sinjalizuar përfundimin e alarmit dhe ende rekomandon “kujdes” për qytetarët që lëvizin në qendër të qytetit.
Ende nuk dihen motivet e autorit të krimit, ndërsa policia vijon hetimet. “Po merren deklarata nga viktimat dhe dëshmitarët okularë. Aktualisht një ekip i madh policie është në kërkim të autorit”, thuhet në njoftimin e policisë së mëngjesit të sotëm.
Top Channel