Hapja e urës së Ibrit, eksperti për Ballkanin: Pa mbështetjen e Perëndimit mund të nxisë tensione në veriun e Kosovës

24/08/2024 19:05

Eksperti për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec, tha se hapja e urës kryesore mbi Ibër, si një akt simbolik, pa mbështetjen e perëndimit mund të nxisë tensione të reja në veriun e Kosovës.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zoti Prelec tha se shmangia e tensioneve të reja në Kosovë, mund të ketë qenë një nga temat e diskutimeve të Drejtorit të Agjencisë Qendrore amerikane të Zbulimit (CIA), William Burns, gjatë takimeve me udhëheqësit e Kosovës. Ai beson se vizita e zotit Burns, i cili qëndroi në Kosovë pas vizitave në Bosnjë dhe Serbi, synonte “të çojë përpara disa interesa amerikane rreth qëndrueshmërisë së rajonit”.

Vizita përkoi me një kohë kur qeveria amerikane po kundërshton vendimet për veriun e Kosovës të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, përfshirë synimet për hapjen e urës që ndan dy komunat e qytetit – jugun më shumcië shqiptare dhe veriun me shumicë serbe.

Zoti Prelec tha se hapja e urës, më shumë se gjithçka tjetër, është një akt simbolik.

“Janë tri ura në qytet, dy prej të cilave janë të hapura për trafikun e makinave, ndërkaq ura kryesore, është dhe ka qenë, për sa kohë mbaj mend e hapur për këmbësorë dhe përdoret gjerësisht. Unë vet e kam kaluar shumë herë. Mund të shihni njerëz që shkojnë nga veriu në jug për blerje, nga jugu në veri për takime, kështu që kjo nuk është si shembja e murit të Berlinit, është një akt simbolik sepse është në qendër dhe sepse menjëherë pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 kjo urë ishte epiqendra ku prania paraushtarake serbe në veri u përpoq të ndalojë shqiptarët e armatosur ta kalonin urën, pra ishin aty të ashtuquajturit rojet e urës”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kërkojnë zgjidhjen e kësaj çështjeje në kuadër të dialogut në Bruksel.

Zoti Prelec, thotë se kjo çështje ia vlen të trajtohet në dialog, të paktën si një gjest miqësor ndaj Bashkimit Evropian për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës.

“Mendoj se ka një kohë që dialogu është në një lloj kome dhe kjo ka të bëjë me synimin e tij thelbësor, që t’i shtyjë palët drejt normalizimit në një mënyrë gjithëpërfshirëse. Qartazi që kjo nuk po ndodhë dhe nuk duket të ketë shumë perspektivë në ringjalljen e atij dialogu politik drejt normalizimit në të ardhmen e afërt, të paktën jo këtë vit. Por, ajo që dialogu mund të bëjë është të trajtojë çështje të nivelit më të ulët si çështja se çfarë të bëhet me urën kryesore në Mitrovicë”, thotë zoti Prelec.

Ai beson se hapja e urës pa bashkërendim ndërkombëtar mund të nxisë tensione të reja.

“Por nuk pres domosdoshmërisht të ketë ndonjë lloj dhune, mund të shohim demonstrata. Përshtypja ime, duke theksuar se kanë kaluar disa muaj prej që kam vizituar Kosovën dhe gjërat mund të kenë ndryshuar, por nga hera e fundit që kam qenë në veri përshtypja ime është se popullata atje është mjaft e frikësuar dhe se nuk ndihet sikur është në pozicion të kryej akte që tregojnë forcën siç është provuar në të kaluarën me vendosjen e barrikadave apo individ të caktuar që kryenin veprime, që disa do t’i cilësonin si paraushtarake, e të tjerë si terrorizëm kundër shtetit. Nuk duket të ketë gatishmëri tani për tani në veri të Kosovës për të bërë diçka të tillë”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit të qeverisë së Kosovës rreth veprimeve në veri tashmë ka dëmtuar partneritetin ndërmjet dy qeverive. Bashkimi Evropian ka paralajmëruar mundësinë e shtimit të masave ndëshkuese për Kosovën. Zoti Prelec tha se pohimi i kritikëve se qeveria po “vë në rrezik aleancat”, mbase është një qëndrim tepër i fortë, por sipas tij, është shumë e qartë për një grup të gjerë të vëzhguesve se qeveria e Kosovës tashmë ka dëmtuar marrëdhëniet me aleatët e saj më të rëndësishëm në një shkallë domethënëse.

“Shtetet e Bashkuara ndoshta janë më të zëshme se të tjerët por edhe Bashkimi Evropian dhe vende të ndryshme anëtare si Franca, Gjermania, Italia kanë qenë mjaftë të qarta rreth dëmit që u është shkaktuar marrëdhënieve dhe faktit se janë më pak të gatshëm të ndërhyjnë në emër të Kosovës. Kështu që kjo tashmë ka ndodhur. Nuk shoh shumë mundësi për përshkallëzim të mëtejshëm sepse në veri të Kosovës mendoj që qeveria i ka arritur synimet e saj. Ka përmbushur këto synime në kuptim të ndërmarrjes së hapave të rëndësishëm për të larguar institucionet serbe dhe për vendosjen e autoritetit të saj dhe tërësisë tokësore. E ka paguar një çmim për këtë dhe tani kjo është e kryer”, tha zoti Prelec.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës në fillim të kësaj jave, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke folur lidhur me përplasjet me Perëndimin dhe kritikat e opozitës për mungesë bashkërendimi me aleatët për shumë çështje, tha se dallimet në qëndrime nuk kanë qenë asnjëherë në qëllime, vlera e parime, por vetëm në strategji, taktika dhe operacione.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA